Haradinaj nga Gllogjani: Nuk japim tokë për njohje nga Serbia

Prishtinë | 18 Shk 2019 | 15:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, thotë se çështja e marrëveshjes me Serbinë është e hapur dhe se ajo duhet të ndodhë me kufijtë ekzistues që ka Kosova.

“Proceset e shtetndërtimit nuk janë të lehta, nëse kthehemi në 1912 e kuptojmë që nuk është i lehtë themelimi dhe te Amerika e shohim që nuk e kanë pasur të lehtë themelimin e shtetit”.

“Ajo që ka mbetur e hapur është marrëveshja me Serbinë por që duhet të ndodh në kufijtë ekzistues të Kosovës. Ne nuk  hapim kufij, ne qëndrojmë në hapat e Kosovës së 17 shkurtit”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i Qeverisë foli edhe për taksën ndaj mallrave serbe dhe “acarimet” në koalicionin qeveritar për shkak të qëndrimit ndaj kësaj çështjeje.

“Derisa të jem unë kryetar i Qeverisë, taksa nuk hiqet”, tha kryeministri, duke iu përgjigjur gazetarëve se kujt ia ka drejtuar një ofendim në përfundim të seancës së djeshme solemne të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj këto deklarata i bëri gjatë homazheve në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

“Le të harron gjithkush që kemi me dhanë troje e kufij, ne nuk e kemi harru marrëveshjen e Demarkacionit, por e kemi ra dakord me me korrigju atë marrëveshje. Kufiri është në Çakorr dhe kullë, ne me Serbinë duhet me u njoh me kufijtë ekzistues”, tha Haradinaj.

“Ne i njohim ata kufij, NATO na njeh me ta dhe i mbron këta kufij. Ne modelin e Bosnjës nuk do ia preferojmë askujt të jetojë në një Republikë brenda një shteti. Njohja reciproke, me kufijtë ekzistues, por jo me çmimin e Republikës Srpska”, tha Haradinaj.

Haradinaj: Kosova e 17 shkurtit është e arritur e të gjithë shqiptarëve, nuk bëjmë kthim prapa

“Sot është një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, jemi në Gllogjan, në njërin nga vendet që e ka nderuar vendin tonë për rrugëtimin në liri. Jemi në Gllogjanin e lëvizjeve të hershme, të luftëtarëve të zot jo vetëm të kësaj lufte. Pra jemi që të nderojmë dhe të shprehim respektin për të rënët për liri ashtu si dje e kishim nderin të jemi në Prekaz e në vende të tjera të shenjta”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas bëri homazhe në Komple​ksin Memorial “Dëshmorët e Kombit”, në Gllogjan.

Haradinaj pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, posaçërisht familjet e të rënëve, që siç tha ai mbajnë plagë në zemër e në vete për rrugëtimin deri në liri e shtet, theksoi se tashmë është e ditur që proceset e shtet-ndërtimit nuk janë të lehta.

“Nëse kthehemi në vitin 1912 dhe e shohim se si është konsoliduar shteti shqiptar e hetojmë që nuk ka qenë një proces i lehtë sikurse edhe për shumë shtete të tjera”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Njëkohësisht, kryeministri Haradinaj foli edhe për dialogun me Serbinë për një marrëveshje për njohje, por që siç theksoi ai duhet të ndodhë me kufijtë ekzistues të Kosovës, sepse Kosova e 17 shkurtit është e arritur e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, sikurse edhe e arritur e aleatëve të Kosovës dhe kësisoj nuk do të bëhen hapa mbrapa.

“Kur them hapa mbrapa, them se ne nuk lejojmë hapjen dhe tjetërsimin e Kosovës së Pavarur të 17 shkurtit. Një popull ndaj të cilit është ushtruar gjenocid dhe është përndjekur i gjithë populli, rreth 20 mijë gra të dhunuara e rreth 15 mijë të vdekur u dashka të japim diçka për njohje. Në fakt e drejta politike e çdo norme do të ishte që njohja nga Serbia të vjen si kërkim falje për atë që i ka shkaktuar Kosovës jo vetëm në luftën e fundit por edhe në përpjekjet e mëhershme”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

Të ngjashme