Haradinaj nga ShBA flet për taksën 100%: Jam ushtar i Amerikës që zbatoj urdhra

Prishtinë | 07 Pri 2019 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mori pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë dhe takime tjera me përfaqësues të komunitetit shqiptar, autoritete të Detroit-it dhe zyrtarë tjerë të SHBA-së ka folur edhe për taksën 100%.

Ai në një intervistë ka ripërsëritur edhe njëherë se raportet mes Kosovës e SHBA-ve janë të mira dhe se taksa 100% ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake është bërë kundër Serbisë dhe interesave të Rusisë në Ballkan.

“Populli shqiptar krejt ku jemi në trojet tona i takojmë asaj që udhëheqë Amerika. Në krejt planin global ne jemi bashkë. Marrëdhënia e Kosovës me Serbinë është e ndjeshme për shkak se kemi pasur luftë e tragjedi”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se qëndrimet e Qeverisë lidhur me taksën kanë të bëjnë me Serbinë dhe Rusinë. Tha se është ushtar i Amerikës në terren duke zbatuar urdhrat e saj.

“Qëndrimet tona lidhen me Serbinë e Rusinë. Janë të ngjashme me ato qëndrime që i ka Amerika edhe kuptohet ata që janë në terren, edhe unë jam si ushtar i Amerikës në teren. Unë vetëm një urdhër po e zbatoj si e parasheh tereni. Unë besoj që duke e forcuar Kosovën e forcojmë edhe interesin Amerikan dhe largojmë edhe interesin rus dhe të tjerëve”, përfundoi Haradinaj.

Ndryshe, Haradinaj ka udhëtuar për në SHBA gjatë ditës së premte nga ku ka thënë se atje do të ketë takime të ndryshme edhe me zyrtarë amerikanë.

Të ngjashme