Haradinaj: Nuk do të lejojmë që dikush të vendosë pengesë korruptive në investime

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Nën kryesimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është mbajtur takimi i radhës i Nivelit të Lartë të Sundimit të Rendit dhe Ligjit, në të cilën janë prezantuar të arriturat e fundit nga institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, veçanërisht për pakon e ligjeve anti-korrupsion dhe Rastet e Shënjestruara, në të cilin takim kryeministri e ritheksoi edhe njëherë se viti 2019 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik.

Në fjalën e tij para ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, përfaqësueses së BE-së, Nataliya Apostolova, ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe shumë të tjerëve, kryeministri Haradinaj  e bëri të qartë se zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me sundimin e ligjit dhe ndjekjen e veprave penale që pengojnë këtë zhvillim dhe se siguria e bizneseve sikurse edhe e investimeve të huaja është detyrë e secilit prej atyre që sot ishin në këtë takim.

“Investitorët e huaj duhet të ndihen të sigurt se kapitali i tyre është i mbrojtur, se prokuroria është efektive, se gjykatat nuk vonojnë dhe se keqbërësit janë prapa grilave. Kosova ka hapur dyert për investitorë të huaj, kemi investimin më të madh direkt me vlerë prej 1.3 miliard dhe në pritje janë 11 projekte investuese strategjike me vlerë prej më shumë se 1 miliard Euro”, theksoi kryeministri Haradinaj, duke sqaruar se të gjitha këto investime si adresë e kanë shtetin dhe se nuk do të lejojnë që dikush të vendosë pengesë korruptive në këto investime.

Në këtë frymë, kryeministri Haradinaj, sqaroi faktin se përse i kanë forcuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat dhe i kanë ndryshuar e forcuar ligjet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Për më shumë ne duhet të përfundojmë me sukses të gjitha rastet e shënjestruara. Këto raste tregojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe se Kosova ka kapacitete dhe guxim për tu ballafaquar me raste komplekse. Kosova tashmë është në një fazë ku duhet t’i intensifikojë përpjekjet për ta unifikuar agjendën për integrim”, potencoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për çështjen e vizave, ku tha se janë në fazën finale të liberalizimit të vizave dhe në këtë drejtim nuk bën të ndalen.

Më pas, kryeministri Haradinaj, hapi një diskutim të përbashkët, ku të pranishmit dhanë komentet dhe sugjerimet e tyre.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në prezantimin e tij në kuadër të takimit të Sundimit të Rendit dhe Ligjit, paraqiti pesë fusha themelore që adresohen përmes “Drejtësia 2020”, të cilat përfshijnë: Reduktimin e lëndëve të vjetra (Blacklogut), kapacitetet e organeve të pavarura të zbatimit të Ligjit, efikasitetin e zbatimit të ligjit me konsideratë të veçantë për menaxhimin e periudhës kohore të shqyrtimit të lëndëve, profesionalizmin dhe integritetin.

Në këtë takim, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, shpalosi disa nga rezultatet për 48 lëndët e shënjestruara dhe në cilën fazë janë, si dhe punën e Prokurorisë.

Ndërkaq, për rezultatet që duhet t’i shënojë Kosova në rrugën e saj integruese, foli edhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme