Haradinaj: Nuk do të lejojmë të na mohohet e drejta në konsolidim të shtetit

Prishtinë | 15 Pri 2019 | 13:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur akademi përkujtimore kushtuar Betejës së Zhegocit dhe 50 dëshmorëve të Brigadës “Kadri Zeka”.

Në këtë akademi, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nderimi për të rënët është edhe vëllazërim i vetëdijes kombëtare.

Ai tha se lirinë e Kosovën e kanë penguar në ardhje, e mohojnë sot dhe e përpjesëtojnë në mënyra të ndryshme, por liria sipas tij për garant ka të rënët për liri, raporton Ekonomia Online.

“Lufta në këtë trevë ka pasë ndjeshmërinë e madhe. Është me rëndësi që luftimet për liri në gjithë Kosovën u shpërndanë, por edhe zona e Karadakut mori përgjegjësinë e vet. Nderimi për të rënët për liri është edhe vëllazërim i vetëdijes kombëtare pasi ajo është e gjatë në rrugëtimin tonë për shekuj pasi kalon në shumë momente të rëndësisë”.

“Lirinë tonë e kanë pengu në ardhje, e mohojnë sot dhe e përpjesëtojnë në mënyra të ndryshme, por liria jonë për garant ka të të rënët për liri”, tha Haradinaj.

Ai në këtë akademi tha se mohimi i shtetit të Kosovës është gabim, por të cilin tha se nuk do e lejojnë.

“Nëse për liri nuk i është dhimbsur jeta luftëtarëve më të zotë atëherë jam i bindur që do vazhdojnë për të drejtën tonë për ta forcuar shtetin tonë, Kosovën. Shqiptarët padrejtësisht janë detyruar me jetu të ndamë, por mohimi i Kosovës është gabim”.

“Nuk do lejojmë që të na mohohet e drejta në konsolidim dhe shtet dhe shteti dhe Kosova do bëhet në shtet jo në tavolina të bisedimeve”, tha ai.

“…Janë gabim deklarimet e udhëheqësve evropian se mund të diskutohet territori i Kosovës, hapja e kufijve do hap po ashtu çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan”.

“Komisioneri Hahn thotë se nëse palët janë dakord do bisedohet për kufijtë dhe kjo është gabim sepse nuk duhet të hapet çështja e kufijve”.

Ish – komandanti i brigadës së Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se garancia e lirisë së Kosovës dhe themeli i pavarësisë së vendit, janë dëshmorët që ranë për liri.

“Ditët para 20-vjetësh kanë qenë shumë më të rënda, moti shumë më i keq por edhe lufta ka qenë më e ashpër por fitimtare. Për shkak se në përballje në Zhegoc, bijtë dhe bijat e këtij vendi, i dhanë goditjen armikut dhe pak kohë më vonë Serbia shkoi nga këtu ashtu siç e ka merituar. Garancia për lirinë dhe pavarësinë tonë janë bijtë dhe bijat që kanë ra në këtë vend ata që janë themeli i pavarësisë sonë”, u shpreh Isufi.

Islam Rashiti, kryetar i këshillit të fshatit, tha se institucionet e vendit duhet të bashkohen për ti kushtuar kujdes familjeve të dëshmorëve.

“20 vjet më parë kjo malësi ishte e rrethuar me tanke nga ushtria serbe duke u përballur me ushtrinë të cilët ishin të pabarabartë me UCK-në por morali i ushtrisë tonë ishte i fortë. Është morali yni institucional që tërë malësinë e Zhegocit të kenë një përkujdesje më të madhe ndaj familjarëve të Zhegocit”, tha Rashiti, raporton EO.

Ndërsa, Shpresa Kurtishi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, tha se sot qytetarët e vendit duhet të luftojnë për të ndërtuar paqen dhe për ta bërë Kosovën ashtu siç e kanë dashur dëshmorët.

“Po ritakohemi në këtë 20-vjetor për ta kujtuar rënien historike të dëshmorëve të Zhegovcit. Ne sot jemi të obliguar të luftojmë për ta ndërtuar paqen për ta bërë shteti tonë ashtu siç dashtën dëshmorët tanë”, tha ajo.

Të ngjashme