Haradinaj: Nuk nënshkruaj asnjë germë që e dëmton emrin tim

Lipjan | 02 Tet 2017 | 21:42 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i Aleancës, njëherësh kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, në orët e mbrëmjes ka vazhduar fushatën për zgjedhjet e 22 tetorit, duke iu ndihmuar kandidatëve të partisë së tij.

Ai ka qëndruar sonte në Banullë në Lipjanit, ku ka prezantuar kandidatin për kryetar të Komunës, Fitim Selimi.

Haradinaj ka kërkuar votën për AAK-në, një parti kjo, e cila sipas tij, e ka aktivizuar një shoqëri pasi e ka marrë drejtimin e Qeverisë së vendit.

Ai ka thënë se në pak se një muaj, Qeveria e drejtuar nga ai ka marrë 1 000 vendime.

“Një qeveri që vepron e aktivizon një shoqëri. Një shoqëri që vepron jep ligje dhe resurset financiare rriten dhe ka fitim. Këtë qe pak ditë është duke e bërë Kosova. Në këtë funksion, Kosova shënon fitore dhe janë fitore të vendit tonë”.

Kreu i Qeverisë ka folur dhe rreth debatit që vazhdoi sot në Parlamentin e Kosovës, me ç’rast opozita e akuzoi se ka nënshkruar marrëveshje “të fshehtë” me Listë Serbe.

“Unë nuk jam njeri që nuk respektoj dhe nuk jam njeri që nuk e kuptoj tjetrin, por nganjëherë lufta pozitë-opozitë po bëhet pa kritere. Unë nuk kam nënshkruar një germë që është në kundërshtim me emrin tim personal, të familjes sime, e jo se jo të Kosovës”, deklaroi Haradinaj, para përkrahësve partiakë.

“Nuk kam marrëveshje të nënshkruar kam vetëm gojore për bashkëqeverisje me Listën Serbe”.

Madje, ai zbuloi se pas zgjedhjeve të 11 qershorit ka pasur një ofertë prej opozitës “me diçka më shumë”, por u shpreh se ai nuk i luan fjalët. “E kam burrërinë time”.

Shefi i Qeverisë foli dhe për temën “e pashmangshme” në tubimet e tij zgjedhore – demarkacionin, një kusht ky i vënë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Haradinaj tha se edhe nëse demarkacioni shkon ngadalë, Qeveria “ua jep atyre”, duke aluduar në BE-në, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA)”.

“Unë po e avancoj MSA-në dhe po i qes në pozitë të pamundur për mos me na e dhanë liberalizimin”.

“Ne po e aftësojmë Kosovën me këto veprime. Normë është edhe MSA-ja. Pas asaj kontrate, vjen statusi i kandidatit”, u shpreh optimist ai.

E duke iu kthyer zhvillimeve lokale, Haradinaj kërkoi nga banorët e Banullës ta votojnë Fitim Selimin.

“Unë në doktor Fitimin e shoh veten, e shoh si një njeri që udhëhiqet nga drejtësia”.

Ai ka premtuar se Qeveria qendrore do ta ndihmojë Lipjanin me projekte në infrastrukturë, duke veçuar projektin e ujërave të zeza.

“Infrastruktura jetësore është bazike dhe ne këtë e kemi detyrim me përmbyll; nuk mundemi me i lanë njerëzit pa kanalizim sepse rrezikohet shëndeti”.

Selimi: Do ta kthejmë kulturën e gjallërinë

E kandidati për ta drejtuar Lipjanin në katër vitet e ardhshme, Fitim Selimi ka thënë se ecja e Aleancës është e drejtë.

“Ka pasur shume të tillë që kanë tentuar ta devijojnë rrugëtimin tonë. Ne kemi pasur vështirësi të mëdha, por kemi qenë të bindur që kryeministër duhet ta kemi Ramush Haradinajn. Jemi pjesë e sakrificës së madhe për çlirimin e Kosovës, ku në themele është gjaku i dëshmorëve tanë”.

Selimi ka thënë se qeverisja e deritanishme e Lipjanit ka qenë e mangët dhe problemet esenciale nuk janë prekur asnjëherë nga pushtetarët e Lipjanit. Ai ka premtuar arsim, shëndetësi, infrastrukturë e kulturë më të mirë nëse e merr besimin.

“Ne jemi njerëz të kulturës. Në Qendrën e Kulturën e cila tani është e heshtur, do të kthehet kultura dhe gjallëria; Qendra e Shëndetësisë, e cila është duke fjetur e pa mjete të panevojshme, do të funksionalizohet”, ka thënë ai.

Selimi ka përfunduar fjalimin e tij, duke shprehur besimin se qeverisja e tij në Lipjan do të jetë më e lehtë, pasi që në krah do ta kenë Ramush Haradinajn.

Të ngjashme