Haradinaj: Nuk negocioj me një bastard si Vuçiqi

Prishtinë | 02 Maj 2019 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, që në fillim të mandatit të tij në krye të Qeverisë, kishte thënë se do të qëndrojë larg tavolinave të negociatave me Serbinë.

Një qëndrim të tillë ishte munduar ta arsyetojë me punët e mëdha që e prisnin dhe problemet e shumta që ka Kosova me papunësi, zhvillim ekonomik e fusha të tjera, të cilat kërkojnë zgjidhje.

Megjithatë një nga arsyet mund të ketë qenë edhe fakti se në anën tjetër të tavolinës në Bruksel do t’i duhej të negocionte me ata që ua kishte kthyer tytën e pushkës 20 vjet më parë.

E ndoshta për dallim nga liderët tjerë të Kosovës të cilët janë ulur në tavolinë përballë serbëve me më pak emocione, e kaluara dhe ato  çfarë i kanë ndodhur Haradinajt gjatë viteve të luftës ia bëjnë një gjë të tillë edhe më të vështirë.

E një nga arsyet se pse nuk do të dëshironte të ulej në një tryezë për paqe me Vuçiqin, Haradinaj e ka treguar në një intervistë për të gazetën prestigjioze gjermane, Der Spiegel.

“Unë nuk do të negocioj me atë bastard”, ka thënë Haradinaj, citat të cilin gazeta gjermane e ka vendosur edhe në titull të shkrimit, intervistë që është botuar edhe javë më parë, por që është përsëritur nga gazeta gjermane.

Në këtë intervistë ndër të tjera, Haradinaj përshkruhet si një burrështetas të rafinuar i cili pëlqehet në Kosovë si kryeministër.

Gazeta gjermane thotë se ndoshta po të mos ishte Haradinaj me shokët e vetë të UÇK’së, sot mbase Kosova nuk do të ekzistonte.

“Po mos të ishte Haradinaj dhe shokët e tij, ndoshta Republika më e re në Evropë nuk do të ekzistonte” shkruan Der Spiegel.

Në këtë shkrim përmendet edhe nofka e Hardinajt të cilët e kishte bartë gjatë luftës në Kosovë.

“ Nën nofkën e ‘Smajl’, ai ka komanduar një pjesë të UÇK’së, që kulmoi me kryengritjen kundër forcave okupuese serbe në Kosovë. Sot ai është kreu i një vendi që kërkon vendin e tij në Evropë”, shkruan gazeta.

Ramush Haradinaj në luftën e Kosovës ka qenë komandant i UÇK’së në Zonën e Dukagjinit. Dy vëllezërit e tij, Luani dhe Shkëlzeni u vranë në luftë e sipër për të çliruar Kosovën nga Serbia.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme