Haradinaj pas Kosnett e takon edhe ambasadorin gjerman Heldt

Prishtinë | 03 Pri 2019 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj pasi ka takuar Ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett, sot e ka takuar edhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

“Në takimin e rregullt me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ndër të tjerash theksova se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ka shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e sigurisë, rendit dhe ligjit dhe është e përkushtuar që të avancojë me raportet bilaterale me Gjermaninë dhe, gjithmonë e gatshme për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje”, ka thënë Haradinaj përmes Facebook, transmeton Klan Kosova.

“Kisha kënaqësi të ndaj me ambasadorin Heldt statistikat e fundit reale të migrimit, ku Kosova tregon qartë se nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 723 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018”.

“Krahasuar me vitin 2015, ku shifrat e migrimit tregonin për 67.545 persona që kanë migruar, viti 2018 me vetëm 723 raste, tregon qartë një rënie prej 98%, rezultat ky që dëshmon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës, për të respektuar së pari, shtetin e Kosovës dhe gjithashtu për të respektuar parimet bazë të lëvizjes së lire”, ka shtuar ai.

Të ngjashme