Haradinaj për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë: Zgjidhja është marrëveshja gjithëpërfshirëse me njohje reciproke

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ai ka thënë se mundësia e vetme është arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja e të drejtës së votës për komunitetin serb të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë është shumë e rëndësishme, por ne duhet të shmangim trajtimin e çështjeve një nga një. Zgjidhja është marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke që do t’i rregullojë këto çështje njëherë e përgjithmonë. Tejzgjatja e arritjes së marrëveshjes do të përkeqësojë angazhimin tonë për paqen në Ballkan”, shkroi Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 22 mars, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.

Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Të ngjashme