Haradinaj për të pagjeturit: Problemi kryesor është te Beogradi zyrtar

Prishtinë | 03 Nën 2020 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, foli sot në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për personat e pagjetur e ku ai tha se kurrë nuk është e tepërt të diskutohet për të pagjeturit.

“Një gjë që e kisha thënë me përgjegjësi të plotë është se problemi nuk është nuk është në këtë Kuvend, nuk është te kjo Qeveri, nuk është te qeveritë e kaluara, por është te Beogradi zyrtar, te njerëzit e njëjtë të cilët edhe i kanë organizuar edhe i kanë ekzekutuar ato vrasje, ato masakra dhe i kanë zhdukur njerëzit. Dhe të njëjtit njerëz janë sot në krye të një shteti armiqësor ndaj Kosovës, e të cilët bëjnë thirrje publike me linqu serbë të caktuar që po japin informata për masakrat”, theksoi Haradinaj.

Ai tha se sot e kanë shansin si Kuvend, si Parlament, si organ mbikëqyrës i ekzekutivit të marrim një vendim dhe t’i bëjnë qëndrimet të qarta se si do të procedohet më tutje, çfarë qëndrimesh duhet të ketë Qeveria e Kosovës në raport me Serbinë dhe ato qëndrime të jenë eksplicit të shpjeguara se çfarë duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës.

“Është një fakt që për çdo ditë marrim informata për masakrat , varrezat në Serbi dhe është një fakt që asnjëherë drejtësi për ta nuk ka pasur”, tha ai.

Haradinaj tutje ka kërkuar falje publike për atë që nuk ka mundur ta bëjë për të pagjeturit.

“Unë personalisht kërkoj falje publike pse nuk kam mundur të bëj më shumë për ata njerëz të cilët na mungojnë sot dhe mendoj që i mungojnë tërë qytetarëve të vendit. Nuk kam mundur të bëj më shumë , nuk kanë mundur as kolegët e mi , sepse nuk ka qenë në dorën tonë”, u shpreh Haradinaj.

Të ngjashme