Haradinaj premton përkrahje për fermerët e plantacionit të arrave në Kopërnicë të Kamenicës

Kamenicë | 12 Kor 2019 | 13:17 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, mbajti takim me fermerë në plantacionin e arrave, përfitues të programeve mbështetëse nga Qeveria, në fshatin Kopërnicë të Kamenicës, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj tha se e çmon guximin e fermerit për të mbjellë fidanë të arrave në këtë zonë dhe premtoi që Qeveria do vazhdoj të përkrahë fermerët e kësaj ane.

“Është inkurajuese që ka përpjekje për me mbet në këto zona me punu dhe se me guxim po ndodhin disa investime.  Ky është rast i guximshëm si mbjellja e 15 mijë fidanëve arrë në një kodër të tillë dhe falënderoj investitorët për guximin, më vjen mirë që Qeveria po jep përkrahje dhe është interes i yni të vazhdojmë më tutje në përkrahje të fermerëve e investitorët si plantacioni dhe këtu ndoshta edhe për përpunim të produktit”, tha Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka falënderuar Qeverinë që po ndihmon bujqit e Kamenicës pasi që ky vend ka shumë mundësi për të zhvilluar sektorin e bujqësisë.

“Kamenica i ka pa këto sfida, shpërngulja e popullatës, mungesa e vendeve të punësimit ne jemi të përshtatshëm në bujqësi, falënderoj investitorët dhe shpresoj se ideja e tyre do shpërndahet në gjithë Kosovën dhe falënderoj Qeverinë që po i ndihmon bujqit në komunën tonë”, tha Kastrati, raporton EO.

Fermeri, Rexhep Islami, tha se problem i tanishëm është mungesa e ujit në këtë vend dhe se shpreson se do ndihmohen edhe për këtë gjë.

“Këtu kemi bërë projekt mbi afër 50 hektarë që janë mbjellë arrë, pretendojmë ta rrisim mbi 70 për qind, ta shohim çfarë mundësi kemi, janë bërë investime milionëshe, 99% e fidanëve janë nxënë, kemi probleme me ujë, shpresoj ta bëjmë ndonjë formë ta sjellim ujin këtu sepse ka mungesë”, tha ai.

Të ngjashme