Haradinaj: President Clinton, faleminderit dhe përjetë mirënjohës për ju dhe popullin tuaj

Prishtinë | 11 Qer 2019 | 16:08 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, ish-presidenti i SHBA-së, Bill Klinton është takuar edhe me kryeministrit Haradinaj dhe kabinetin tjetër qeveritar.

Nga ky takim nuk do të ketë deklarata, raporton EkonomiaOnline.

Mediet nuk janë lejuar të hyjnë brenda për të marrë pamje nga ky takim.

Por detaje rreth takimit Haradinaj dha Zyra e Kryeministrit në komunikatën e lëshuar për media.

Komunikata e plotë:

“President Bill Klinton, ju na ndihmuat ta fitojmë luftën dhe bashkë e ndërtuam paqen. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde dhe tek populli në zemrat e të cilit ju keni hyrë si njeriu më i dashur. Falë vendosmërisë, humanizmit dhe guximit tuaj, ne jetësuam të drejtën tonë për liri dhe demokraci dhe ndërtuam shtetin e Kosovës. Falë kësaj kthese historike, fëmijët tanë sot jetojnë të lirë. Të lirë për të pasur jetë, për të pasur ëndrra, për të pasur shtetin e tyre, Kosovën”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit që zhvilloi me ish-presidentin e SHBA-së, Bill Klinton, i cili po qëndron në vendin tonë në shënim të 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë.


Kryeministri Haradinaj, ka thënë se presidenti Bill Klinton ka merita të veçanta që Kosova sot frymon lirshëm, që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran. 

“Miqësia jonë me Ju, bashkëshorten tuaj, ish-sekretaren e shtetit, Hillary Klinton dhe në përgjithësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jetë e përjetshme ”, tha kryeministri Haradinaj, duke e falënderuar përzemërsisht ish-presidentin Klinton për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë dhe po vazhdojnë t’i japin Kosovës edhe në ditët e sotme, por edhe për kontributin e tij personal për të marrë vendimin kapital në një moment të vështirë dhe dramatik për popullin e Kosovës.


“Kosova dhe populli i saj gëzojnë respektin më të madh për ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, për rolin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushatën ajrore të Aleancës Veriatlantike kundër forcave serbe më 1999. Dhe për këtë, sot ish-presidenti Klinton me të drejtë konsiderohet sinonim i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj. 

Në këtë takim, kryeministri Haradinaj, e njoftoi ish-presidentin Klinton për zhvillimet politike në Kosovë, për zhvillimin e gjithmbarshëm në ekonomi, forcimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit, përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane, duke theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Temë e bisedës në këtë takim ishte edhe dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e interesuar për arritjen e një marrëveshje obligative ligjore ndërmjet dy shteteve, që nënkupton njohjen reciproke. 

Në takim, kryeministri Haradinaj, theksoi nevojën e mbështetjes së ish-presidentit Klinton dhe të SHBA-ve në përgjithësi, për proceset e rëndësishme për Kosovën, me theks lobimin për shtimin e numrit të njohjeve, si dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.   


Në 20 vjetorin e hyrjes së NATO-s dhe për kontributin e tij dhënë për Kosovën, kryeministri Haradinaj i ka dhuruar ish-presidentit Klinton Pullën Postare, që mban figurën e ish-presidentit Bill Klinton, të cilën e ka emetuar Posta e Kosovës. 

Të ngjashme