Haradinaj pret në takim përfaqësuesit e komunitetit boshnjak në 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës

Prishtinë | 11 Kor 2019 | 14:29 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, priti në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe ish-deputetin Xhezair Murati, të cilët vijnë nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, në emër të popullit të Kosovës, shprehu nderimin dhe respektin që ka për viktimat, duke theksuar se populli i tij gjithmonë do të ndajë dhimbjen me popullin boshnjak.

“Edhe në Kosovë ka pasur masakra shumë të rënda, të kryera nga regjimi i egër i Millosheviqit, për të cilat ende ndjejmë dhimbje të madhe”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Masakra në Srebrenicë dhe masakrat e tjera masive në Ballkan, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar.

Kryeministri Haradinaj, theksoi gjithashtu se bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak.

Nga ana e tyre, ministri Demiri, deputetja Balje dhe ish-deputeti Murati, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe respektin që ai ka në vazhdimësi për komunitetin boshnjak dhe që bashkëndjen me dhimbjen për viktimat e Srebrenicës, masakër kjo më e madhja në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi 24 vjet më parë, njihet si ngjarja më e trishtë në historinë e re të botës në tokën evropiane.

Aty u vranë mbi 8000 burra dhe djem myslimanë, me urdhrin e kriminelit Radovan Karadzic, në Bosnjë, i gjykuar me dënim me vdekje.


Image may contain: 2 people, suit

Image may contain: 4 people, people sitting and indoor

Të ngjashme