Haradinaj pyetet nëse do të bëhet president: Nuk mendoj për këto gjëra në këtë kohë, s’duhet të biem pre e lakmive për postet

Prishtinë | 29 Qer 2020 | 22:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është pyetur në Debat Plus, nëse ka menduar që të bëhet president i Kosovës.


Përgjigja e tij në emisionin Debat Plus ka qenë e prerë, ku ka thënë se në këto momente nuk mund të planifikojë për poste, por për tejkalimin e kësaj situatë, kur është paralajmëruar ngritja e aktakuzave kundër Presidentit Thaçi e kryetarit të PDK-së, Veseli.


“Unë nuk kam kërkuar as nuk kërkoj ndonjë post”, ka thënë ai.
“Nuk është qëllimi i Aleancës që të shikojmë çka japim e çka marrim. Duhet të shikojmë se si ta kalojmë këtë situatë”, ka theksuar Haradinaj tutje.
Haradinaj ka thënë se liderët e Kosovës nuk duhet të bien pre e ndonjë lakmie në këto kohëra. Ai ka thënë se uniteti nacional është i nevojshëm, duke e përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.


“Nuk guxojmë në asnjë mënyrë që me ardhë në shprehje ndonjë lakmi për diçka. Duhet pasur një mirëkuptim nacional, pa e përjashtuar edhe Vetëvendosjen”, ka thënë ai.


“Duhet të bëjmë kujdes edhe si popull. Historia na ka mësu që kur s’kemi qenë në nivel të përgjegjësive, kemi paguar faktura të mëdha.”
Haradinaj ka thënë se kjo situatë është e rëndë dhe të gjithë bashkëndjejnë momentet e renda me prirësit e luftëtarët e UÇK-së.


“Këto pasoja i bartim si popull. Nuk janë në pyetje vetëm Thaçi e Veseli”, theksoi ai.

Të ngjashme