Haradinaj: Qeveria, fajtori kryesor për ndërtimin e murit

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 13:18 | Nga

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Mitrovicën veriore, konkretisht vendin ku po ndërtohet muri.

Haradinaj me këtë rast tha se Prishtina dhe Mitrovica, kanë nevojë të ndërtojnë më shumë ura dhe jo mure.

“Është e pakuptueshme se si mendësia provinciale e nacionaliste, në këtë kohë ndërton mure ndarëse. Më mirë do të ishte që ato mjete të ishin shpenzuar në ndërtimin, edhe të një ure në Mitrovicë, e cila do t’i duhet atij qyteti, atij komuniteti. Prishtina dhe Mitrovica, kanë nevojë të ndërtojnë më shumë ura, sepse fati ynë i përbashkët, janë urat e jo muret”, tha ai.

Haradinaj po ashtu tha se Qeveria e Kosovës nuk mund të justifikohet me asnjë gjë, duke e fajësuar se ishte shkaktari kryesor i ndërtimit të këtij muri.

“Ndërtimi i mureve, nuk mund të jetë as në interesin e vetë komunitetit serb atje. Ata duhet të mos bien pre e politikave ekspansioniste e nacionaliste të Beogradit, apo të kujtdo tjetër, sepse e ardhmja e tyre është në Kosovë!”, përfundoi Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme