Haradinaj: Qytetarët e Kosovës në terr pas 20 vjetësh, ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja

Prishtinë | 23 Dhj 2021 | 13:21 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas kthimit të reduktimeve me energji elektrike.

Në një postim në Facebook, Haradinaj e ka pyetur Kurtin se ku i kishte mendtë ai dhe Vetëvendosje kur e kundërshtonin me forcë investimin e 1.2 miliardë dollarëve për 500 megavatë energji.

“Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e refuzuan investimin amerikan, 200 milionë dollarë falas, të aprovuara nga Presidenti Biden për gazsjellësin Shkup – Prishtinë?”, ishte pyetja tjetër retorike e Haradinajt.

“Për këtë dimër po e shohim, reduktime, terr, të ftohtë. Si do të jetë dimri i ardhshëm me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre?”

Postimi i plotë:

Ku i kishin mendtë Kurti e VV

Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e kundërshtonte me forcë investimin 1.2 miliardë dollarë për 500 megavatë energji, të çmimit deri në 86 euro për megavat, investim që do të hapte vende të punës dhe do ta kthente Kosovën në fuqi rajonale të energjisë?

Ku i kishte mendtë Kurti e VV-ja kur e refuzuan investimin amerikan, 200 milionë dollarë falas, të aprovuara nga Presidenti Biden për gazsjellësin Shkup – Prishtinë?

Ku i kishin mendtë Kurti e VV-ja gjatë verës që nuk u morën me KEK, KOSTT, KEDS e KESCO, për të rritur kapacitetin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë, por e pritën dimrin e ftohtë?

Ku i ka sot mendtë Kurti e VV-ja, kur paguan deri në 620 euro për megavat nga tregjet e shteteve fqinje?

Kujt ia kishte borxh qytetari i Kosovës terrin pas 20 vjetësh? A e kanë meritu ata që e votuan VV-në dhe Kurtin? A ia kishin borxh Kurtit terrin dhe të ftohtit?

Për këtë dimër po e shohim, reduktime, terr, të ftohtë. Si do të jetë dimri i ardhshëm me këta njerëz e me këtë mendësi të tyre?

Të ngjashme