Haradinaj: Rënia e Zymberit dëshmon se themelet e Republikës janë të forta

Prishtinë | 26 Kor 2018 | 10:19 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar në shtatë vjetorin e rënies, heroin Enver Zymberi.

Sipas Haradinajt, polici Zymberi u shndërrua në dëshminë më të fuqishme për ndjenjën reale të atdhedashurisë.

“Shërbimi deri në sakrificë sublime, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, të rendit të saj kushtetues dhe simbolik, është udhërrëfyesi më i mirë për brezat, se si duhet përgjigjur thirrjes për t’i mbrojtur me besnikëri vlerat e atdheut”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka vlerësuar se Zymberi është ndër dëshmorët e parë të Republikës, që mbijetesën e vë para çdo interesi tjetër.

“Rënia e tij dëshmon se themelet e kësaj Republike në tërësinë e saj janë të forta dhe si të tilla ato nuk mund të zhbëhen”, ka përfunduar ai.

Zymberi ishte polic i Njësisë Speciale të Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002.

Ai u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, afër pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Enver Zymberi u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Të ngjashme