Haradinaj: Serbia në aksion, e Kryeministri ynë komunist krenohet se i ka ulur shpenzimet e darkave e drekave

Prishtinë | 05 Dhj 2021 | 18:30 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka kritikuar ashpër qasjen e kryeministrit Albin Kurti, ndërsa ka marrë shkas nga një darkë e organizuar nga ambasadori i Serbisë në Washington, Marko Gjuriq, ku i mblodhi disa anëtarë të Kongresit Amerikan.

Haradinaj ka alarmuar në Facebook për veprimet e Serbisë, ndërsa ka thënë se kryeministri Kurti po krenohet me uljen e shpenzimeve për dreka e darka zyrtare.

“14 kongresistë amerikanë nga Komisioni i Punëve të Jashtme, Komiteti Ushtarak dhe Komisioni i Sigurisë në Dhomën e Përfaqësuesve, në darkë te ambasadori serb në Washington, e kryeministri ynë komunist, krenohet që ka ulur shpenzimet për dreka e darka”, ka shkruar Haradinaj, duke shtruar një pyetje. “Çfarë do të ndodh me dialogun dhe Asociacionin me këtë qasje komuniste të kryeministrit tonë?”.

Pas lajmit për darkën e organizuar nga Gjuriqi, analisti politik, Jusuf Thaçi i ka sugjeruar disa masa të cilat thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i marrë urgjentisht. Kjo, sipas Thaçit duhet të ndodhë duke pasur parasysh aktivitetin e shtuar të Serbisë në SHBA kohëve të fundit.

Të ngjashme