Haradinaj: Me Serbinë të hapet edhe çështja e fondeve pensionale

Prishtinë | 21 Tet 2017 | 13:20 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Pensionistëve dhe të Moshuarve të Kosovës, të udhëhequr nga Riza Shala, kryetar, të cilët e kanë përgëzuar Kryeministrin për marrjen e përgjegjësive të reja dhe për një fillim të mbarë.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur interesimin e tij për temën e sindikalistëve pensionistë dhe të moshuarve, duke u premtuar atyre se së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do të shikohen mundësitë e transformimit të Ligjit mbi Skemat Pensionale në Ligj të mirëfilltë të Pensionistëve dhe Invalidëve.
Kryeministrit Haradinaj tha se partitë politike duhet t’ua njohin pavarësinë sindikatave dhe të mos interferojnë në çështjet e tyre të brendshme.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e sindikalistëve pensionistë i kanë shprehur shqetësimet e tyre, sidomos me Ligjin e Skemave Pensionale, i cili, sipas tyre, duhet të rikthehet tek ligji i miratuar që më 2006, por që nuk është zbatuar kurrë, për shkak të, siç është thënë, kostos së lartë që Kosova nuk ishte në gjendje ta përballonte.

Poashtu ata shprehën mospajtimin e tyre me Ligjin për organizimin sindikal i cili i përjashton ata si dhe për mos hapjen e çështjes së fondeve të plaçkitura nga Serbia nga delegacioni kosovar në procesin e bisedimeve të Brukselit.

Kryeministri Haradinaj tha se në bisedimet finale me Serbinë, pasi që Kosova ta ketë një ligj të mirëfilltë për pensionet e punës dhe invalidëve të punës, duhet të hapet edhe çështja e fondeve pensionale.

Sindikalistët pensionistë shtruan edhe çështje tjera, siç janë shfrytëzimi i përbashkët i hapësirave publike që Lidhja e Pensionistëve të Kosovës i ka lëshuar me qera, si dhe problemet e organizimit të brendshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme