Haradinaj: Shkollimi i të rinjve tanë, tejet i rëndësishëm për vendin

Prishtinë | 23 Kor 2018 | 10:12 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e Fondit Kosovar – Amerikan për Edukim (KAEF) të kryesuar nga Dale Pfeiffer, themelues i këtij fondi dhe udhëheqës i parë i USAID-it, në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj ka falënderuar përfaqësuesit e KAEF dhe ShBA-të për ndihmën që kanë dhënë në krijimin e mundësive për shkollim e të rinjve kosovar, përmes bursave në nivelin master të studimeve në universitete më prestigjioze amerikane.

“Jemi duke punuar me përkushtim në ngritjen e cilësisë në arsim në të gjitha nivelet, andaj ndihma juaj në ofrimin e mundësive për studentët tanë, që studimet e tyre t’i ndjekin në universitetet më të mira amerikane, do të jetë ndihmë e drejtpërdrejtë në forcimin e zhvillimit të gjithanshëm të vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj tha se programet dhe bashkëpunimet e tilla janë të mirëseardhura për ngritjen e kualitetit në arsim dhe në të gjitha fushat, që do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Fondit Kosovar – Amerikan për Edukim (KAEF), shprehën gatishmërinë e tyre që edhe në të ardhmen të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në të mirë të shoqërisë në Kosovë.

KAEF deri tash ka mbështetur mbi 95 studentë kosovarë për studimet master në universitete të ndryshme amerikane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme