Haradinaj: S’jam kundër një konference ndërkombëtare, por duhet kornizë marrëveshje

Prishtinë | 04 Tet 2019 | 22:39 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, që është edhe pak ditë kryeministër në detyrë, kishte iniciuar një ide për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, a ka ‘vdekur’ apo është akoma gjallë ideja e një konference të tillë?

“E kam paraqitur këtë propozim për një kontratë kornizë me pa njëherë se për çka negociojmë – pra, të shkruhet negociojmë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, dëmet e luftës, të pagjeturit, Asociacionin ose tema të tjera”.

“Një kornizë marrëveshje na jep një siguri se për çka do të flasim, jo qysh ka me ardhë fundi i secilës temë, por për çcka – dihet që është për njohje, të pagjeturit, për borxhet dhe dëmet e luftës, të drejtat e serbëve në Kosovë dhe të tjera”.

“Mospasja e një kontrate të tillë e pamundëson mbajtjen e një konference të tillë.  Kur jemi shkuar në Rambuje ka ekzistuar një propozim. Vjena e ka pasë një propozim. Nuk shkohet në një konferencë pa një propozim”.

Haradinaj në Zonën Zgjedhore të Klan Kosovës ka thënë se Kosova nuk është në një gjendje qysh ka qenë kur është mbajtur Konferenca e Rambujesë.

“Ne i kemi pasë dy momentë të rënda. Kemi qenë në luftë ku ishin duke vdekur njerëzit dhe Rambuje ka qenë një dalje e mirë, përkundër faktit që dikush e kritikon”.

“Ne kemi qenë luftë ku ishin duke vdekur njerëzit dhe ajo ka qenë një kalim prej asaj gjendje të ajo që ka pasuar. Ahtisaari ka qenë po ashtu një dalje e mirë për ta marrë Pavarësinë, që mos me qenë krejt e njëanshme – me të njoft Amerika dhe vendet e respektuara”.

“Unë mendoj që ne nuk jemi në atë siklet si Kosovë. Kemi një MSA që mund të vazhdojë të avancojë ende pa i hap kapitujt”.

“I kemi disa procese këtu që kemi pak kohë. Nëse Serbisë i ngutet që t’i hapë kapitujt, atëhërë hajde ta definojmë. Serbia nuk mund të avancojë drejt BE-së pa i sqaruar të gjitha çështjet me Kosovën”.

Ai ka folur edhe për unitetin që duhet ta kenë përfaqësuesit e Kosovës kur e përfaqësojnë vendin në këtë proces në Bruksel ose kudo tjetër.

“Nëse ne shkojmë, njëri kreativ, tjetri fleksibil, tjetri kompromis i dhimbshëm, tjetri më i mençuri i dynjasë – atëherë, nuk ka faj Bashkësia Ndërkombëtare që na kërkon diçka për njohje”.

“Problemi është te ne. Nëse e sqarojmë veten, për shembull pesë partitë më të mëdha parlamentare thonë se njohja na intereson, por s’e japim për asgjë. Nëse e marrim këtë qëndrim, atëherë e zgjidhim problemin dhe ja lehtësojmë Amerikës, Berlinit dhe të tjerëve”.

“Nuk jam kundër një konference, por edhe për konferencë dueht qartësi – kornizë marrëveshje”.

Të ngjashme