Haradinaj: S’ka kushtëzim për vizat, Merkel kërkoi që dialogu të mos bllokohet me taksën

Prishtinë | 10 Qer 2019 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se nuk po kushtëzohet liberalizimi i vizave me heqjen e taksës.

“Kushtëzim nuk ka, por klima politike ndikon. Çdo veprim ose vendim mund ta ndihmojë një veprim ose vendim tjetër”.

“Nuk janë të lidhura direkt, por ndikojnë. Është me rëndësi të kuptohet që Kosova nuk e ka vendosur taksën për ta bllokuar dialogun. Ne e kemi vendosur taksën si masë mbrojtëse ndaj agresivitetit të Serbisë në planin e jashtëm, të destabilizimit të brendshëm dhe bllokadave që na ka bërë”.

“Prej asaj kohe që e kemi vendosur taksën, përpos që edhe Serbisë po i kushton koha, ne i kemi disa përfitime financiare si Kosovë. Jemi duke i nxjerrë disa elemente me interes për vendin tonë”.

“Na intereson shumë liberalizimi i vizave, por nuk janë të lidhura vendimi për taksën dhe liberalizimi i vizave”.

Por, a ia kërkoi kancelarja gjermane Angela Merkel heqjen e taksës gjatë vizitë në Berlin?

“Kërkoi një ndihmë që të hapet perspektiva dhe dialogu të mos bllokohet lidhur me taksën. Unë kam një kërkesë të cilën e kam thënë çdo herë – të shkruhet një kornizë marrëveshje për temat që do të merremi vesh dhe pastaj të vlerësojmë se si do të veprojmë”.

“Gjermania është mirënjohëse për angazhimin tim personal në disa tema dhe mënyrën se si i kam trajtuar këto tema”.

“Kërkesa ime që e them tash e një vit është një marrëveshje paraprake me elementet e marrëveshjes, pra një kornizë marrëveshje ku do të dihet për çka do të merremi vesh. Unë nuk guxoj ta përkrah një dialog pa e ditur se çfarë është”.

“Ne e kemi përkrahur dialogun, por na kanë ardhur befasi dhe lajme të këqija. Nuk mund të vazhdojmë kështu”.

Kush duhet të jetë i përfshirë në hartimin e një draft marrëveshje të tillë, sipas kryeministrit të Kosovës?

“Korniza e një marrëveshje ose një marrëveshje bazë për të cilën duhet të negociohet, por ne duhet të vendosim se për çka do të merremi vesh – njohja reciproke, anëtarësimi në OKB, anëtarësimi në BE, pesëshja e BE-së, punët tjera bilaterale, tregtia e lirë, taksa. Duhet kornizë marrëveshje për të cilën duhet të bien dakord Washingtoni, Londra, Parisi, Berlini, Roma, Beogradi dhe Prishtina”.

“Duhet të krijohet një dokument konsensual të cilit ne do t’ia kishim dhënë përkrahjen. Duhet të merremi vesh për çfarë procesi do të shkojmë, a do të jetë një ngjarje si Konferenca e Rambujesë ku mbyllen të gjithë derisa të merren vesh apo do ta kthejmë edhe në njëherë në një proces pas zgjedhjes së Përfaqëesuesit të Lartë në vend të  Federica Mogherinit”.

Shefi i qeverisë ka treguar edhe nëse ka arritur t’i bindë ndërkombëtarët – të cilët kanë bërë presion vazhdimisht për heqjen e taksës– se Kosova ka vepruar drejt për taksën.

“Edhe unë jam për ta pezulluar, në fakt dëshirojmë ta heqim taksën. Pa marrëveshje për njohje Kosovë-Serbi nuk do të ketë tregti të lirë”.

“Edhe pezullimi njëjavor ose dhjetëditësh i taksës çfarë ndihmon? Ne kërkojmë marrëveshje finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues”.

“Ua kam shpjeguar me kujdesin më të madh sidomos amerikanëve, por edhe aleatëve në Europë qëndrimin tonë. Edhe nëse ka pasë mospajtim, mendoj që nuk kanë ndodhë keqkuptime”.

“Në Kosovë ishte një fushtë intenzive e plot qarqeve që ta shpjegojnë si qëllim për t’i prishur marrëdhëniet me Amerikën, por nuk ishte ashtu”.

“Kisha dëshirë që Amerika të na ndihmojë në proces ashtu edhe po na ndihmon, por të shkohet edhe duke ruajtur konsistencën e Kosovës”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme