Haradinaj: Sllovenia partner i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 10:36 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e falënderoi Presidentin Pahor për ndihmën që Sllovenia i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e procesit të shtetndërtimit dhe të konsolidimit të institucioneve në vend, duke vlerësuar se marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve mund të fuqizohen edhe më shumë në bashkëpunimin ekonomik dhe atë tregtar.

“Sllovenia është një nga partnerët më të mirë ekonomik dhe politik të Kosovës dhe vendi ynë është i fokusuar që kjo miqësi dhe ky bashkëpunim të vazhdojë. Kosova është vend i përshtatshëm për investimet e huaja direkte”, ka shtuar kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Sllovenisë në proceset euro-atlantike të Kosovës, me theks të veçantë në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Presidenti Pahor ka theksuar gatishmërinë e Sllovenisë që ta mbështesë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por edhe përkrahjen në zhvillimin ekonomik.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme