Haradinaj sot mbush 54 vjet, nis ditën me vrapim për fëmijët me autizëm

Prishtinë | 03 Kor 2022 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Haradinaj e nisi ditën e lindjes së tij, duke marrë pjesë në një minimaratonë në mbështetje të fëmijëve me autizëm. Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, ai krahas fotove ka shkruar: Me shumë dashuri për fëmijët me autizëm.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, u lind me 3 korrik 1968 në Gllogjan të Deçanit.

Pasi përfundoi shërbimin e detyruar ushtarak në Jugosllavinë e atëhershme, ai do largohet në Zvicër, ku do bashkohet me organizatën nacionaliste “Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës”, organizatë kjo që e shihte zgjedhjen e problemit të Kosovës, përmes luftës së armatosur.

Në një tentim për të hyrë në Kosovë, Haradinaj me shokë, do të bien në pritën jugosllave me 6 maj 1997, ku heroikisht do të binte i vëllai Luani, një prej themeluesve të UÇK-së.

Pas eskalimit të situatës në Kosovë, me sulmin e forcave pushtuese në Likoshan e Çirez me 28 shkurt 1998 dhe në Prekaz prej 5-7 mars 1998, familja Haradinaj, u vendos si shënjestër e radhës.

Të vetëdijshëm për të pritur sulmin e mundshëm, familja Haradinaj bëri përgatitjet e duhura. Sulmi ndodhi me 24 mars 1998. Nën udhëheqjen e Ramushit, agresorit iu bë një rezistencë e fortë dhe forcat jugosllave u zmbrapsën. Agron e Gazmend Mehmetaj dhe Himë Haradinaj, ende pa mbushur 18 vjet, do të bien heroikisht në atë shtetrrethim, nga i cili Ramush Haradinaj do të mbetet i plagosur rëndë.

Pas shërimit të plagëve, Haradinaj do të merrte përsipër udhëheqjen e Zonës Operative të Dukagjinit, detyrë që e kreu me përkushtimin më të madh deri në çlirim. Gjatë Luftës Çlirimtare, ai u nda edhe nga i vëllai tjetër, Shkelzeni, i cili ra heroikisht me 16 prill 1999.

Pas luftës, Haradinaj shërbeu në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, ndërsa në vitin 2000, themeloi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku u bashkuan shumë politikanë dhe atdhedashës.

Ramush Haradinaj është zgjedhur disa herë deputet në Kuvendin e Kosovës dhe ka shërbyer si Kryeministër i vendit prej 3 dhjetor 2004 deri 8 mars 2005, e gjithashtu prej 9 shtatorit 2017 e deri më 3 shkurt 2020.

Me 10 nëntor 2012, ai është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me “Urdhërin e Skenderbeut”. Po ashtu ai është shpallur qytetar nderi në shumë qytete shqiptare.

Haradinaj është ballafaquar dy herë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, për të ashtuquajtura “krime të luftës”, e në të dyja rastet është konfirmuar pafajësia e tij. Edhe pas konfirmimit të pafajësisë, ai u arrestua me urdhër arreste serbe, në vitet 2015 në Slloveni dhe 2017 në Francë. Me 19 korrik 2019, ai dha dorëheqje për herë të dytë nga detyra e Kryeministrit, pas ftesës për tu paraqitur sërish në Zyrën e Prokurorit Special në Hagë.

Qeverisja e tij, në të dyja mandatet, mbahet mend për vendime të guximshme me efekte pozitive afatgjate për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe për vet pozitën e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

Të ngjashme