Haradinaj-Stublla: Do ta forcojmë lidhjen e Kosovës me botën

Prishtinë | 24 Jan 2021 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, deklaroi sot në Fushë Kosovë se programi i Aleancë ka në qendërlidhjen e fuqishme të Kosovës me botë.

“Kënaqësi të jem sot me ju këtu, në qytetin e Hekurudhës, e cila dikur lidhte Kosovën me botën. Ky është qëllimi ynë sot, që të forcojmë lidhjen e Kosovës me botën, të forcojmë aleancat strategjike me Amerikën e shtetet e BE-së, dhe ta shpiejmë Kosovën në NATO.”, u shpreh ajo.

Haradinaj-Stublla tha se këtë do ta arrijmë me programin tonë konkret, i cili u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe sfidave që kemi përpara. Ministrja Haradinaj-Stublla tha se programi ynë ka prioritet mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ku po vazhdon një fushatë e egër e Serbisë për fshirjen e adresave dhe çdo gjëje shqiptare atje.

“Si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kam qenë jashtëzakonisht e lidhur me Luginën, duke i ofruar asaj përkrahjen e pa-rezervë si shefe e diplomacisë kosovare e gjithashtu edhe mbështetjen vëllazërore”.

“Kemi krijuar Fondin e Përbashkët me Shqipërinë në Mbështetje të Luginës së Preshevës. Kemi bërë të mundur arritjen e Marrëveshjes për Veprim Politik të Përbashkët të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ua kemi mundësuar studentëve të Luginës të bëjnë Praktikën në MPJD e gjithashtu kemi mundësuar kalimin transit pa probleme përmes Kosovës, të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që banojnë në Zvicër”.

Shefja e diplomacisë kosovare tha se nuk do të ndalemi asnjëherë në mbështetje për Luginën, motrat dhe vëllezërit tanë atje.

Të ngjashme