Haradinaj-Stublla: Njohja nga Izraeli me ndërmjetësimin e ShBA-së, konfirmim i bashkëpunimit tonë

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Ministrja Haradinaj – Stublla takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Michael R. Pompeo

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj – Stublla, së bashku me Kryeministrin Abdullah Hoti  u pritën në takim nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael R. Pompeo.

Duke e falënderuar Sekretarin Pompeo për angazhimin e tij në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryediplomatja Haradinaj-Stublla ka theksuar “se marrëveshja e arritur nën lidershipin amerikan, për normalizim të marrëdhënieve ekonomike me Serbinë, tregojnë qartë që ShBA-të janë adresa jonë e sigurt në çdo tavolinë”.

Ndërsa ka shtuar se “njohja historike Kosovës nga Izraeli me ndërmjetësimin e ShBA-ve, është konfirmim i bashkëpunimit tonë dhe marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme dypalëshe”, thuhet në Komunikatë

Ministrja Haradinaj-Stublla gjithashtu ka folur edhe për shpalljen e Hezbollah, si organizatë terroriste. “Shpallja e Hezbollah si organizatë terroriste dhe hapja e ambasadës në Jerusalem, dëshmojnë për vendosmërinë tonë që në implementimin e politikë sonë të jashtme të jemi në koordinim të plotë me politikën e jashtme të ShBA-ve”.

Ministrja Haradinaj-Stublla me këtë rast e ka falënderuar Sekretarin Pompeo për mundësinë e dhënë Republikës së Kosovës që për herë të parë në historinë politike, të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Departamentin Amerikan të Shtetit si dhe për platformën që Departamenti i Shtetit do të zhvillojë me Kosovën, si shtet i parë në botë për shkëmbimin arsimor e kulturor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme