Haradinaj-Stublla takon homologun holandez, i kërkon rishqyrtimin e qëndrimit për vizat

Prishtinë | 17 Sht 2020 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, është pritur sot në takim zyrtar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Holandës, Stef Blok.

Duke e falënderuar për pritjen, Kryediplomatja Haradinaj Stublla e njoftoi homologun holandez për zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, që do t’i paraprijë marrëveshjes finale për njohje reciproke, dhe avancimit në pozicion njohës të pesëshes së mbetur të BE-së.

“Diskutuam edhe për mungesën e liberalizimit të vizave pas përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, dhe kërkova nga Blok që Holanda të rishikojë qëndrimin skeptik ndaj kësaj agjende. I dorëzova poashtu edhe raportin e azhurnuar të Kosovës për gjendjen në sundim të ligjit, krimin e organizuar, dhe migrimin – çështje këto që ndërtojnë qëndrimin skeptik holandez – dhe e ftova të shkëmbejmë grupe të përbashkëta punuese në nivel ekspertësh që do të adresojnë shqetësimet e autoriteteve holandeze”, tha shefja e diplomacisë kosovare.

Në frymën e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, Ministrja Haradinaj Stublla me Ministrin Blok nënshkruan edhe Marrëveshjen për Sigurimet Sociale ndërmjet Kosovës dhe Holandës, që lidhet me pensionet dhe përfitimet ligjore të ndërsjella.

Vlen të theksohet se marrëveshja e nënshkruar sot e shfuqizon atë midis ish-Jugosllavisë dhe Holandës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme