Haradinaj-Stublla thekson nevojën e përmbylljes së dialogut me njohje reciproke në kufijtë ekzistues

Prishtinë | 18 Sht 2020 | 13:59 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj Stublla ka nisur vizitën zyrtare në Vjenë të Austrisë me takimin me Eurodeputetin Lukas Mandl.

Shefja e diplomacisë i ka shprehur mirënjohje eurodeputetit Mandl për mbështetjen që i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës.

“Takova sot në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, Eurodeputetin Lukas Mandl. Shpreha mirënjohjen më të thellë për angazhimin e tij, që ka qëndruar pranë̈ Kosovës në procese të rëndësishme për vendin.”, ka thënë ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja ka theksuar se me eurodeputetin austriak kanë biseduar edhe për përmbylljen e dialogut Kosovë Serbi me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, si dhe procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Me z. Mandl bisedova për arritjet e Kosovës dhe synimet tona, veçanërisht për përmbylljen e dy temave të rëndësishme për Kosovën, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës dhe përmbyllja e dialogut Kosovë-Serbi me njohje reciproke në kufijtë ekzistues.”, është shprehur Ministrja Haradinaj.

Në këtë takim, shefja e diplomacisë ka theksuar gjithashtu nevojën e avancimit të raporteve Kosovë – Austri.

“Theksova nevojën e thellimit të bashkëpunimit tonë në aspektin politik edhe ekonomik, duke zgjeruar kështu edhe miqësinë̈ e veçantë̈ mes shteteve tona. Zoti Mandl dhe zyra e tij angazhohen në avancimin e raporteve Kosovë-Austri.”, ka thënë kryediplomatja kosovare.

Ministrja Haradinaj Stublla po qëndron për vizitë zyrtare në Austri ku do të zhvillojë takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të shtetit austriak.

Të ngjashme