Haradinaj-Stublla: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin thyen fushatën e egër të Serbisë

Prishtinë | 01 Shk 2021 | 15:40 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, tha se me finalizimin e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin , thyen fushatën e egër të Serbisë për ç’njohjen e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj-Stublla në konferencën me kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, e ka quajtur moment historik njohjen zyrtare të Kosovës dhe Izraelit.

“Kosova sot po largon nyjat e bllokadës, një moment historik i cili jo vetëm që e forcon subjektivitetin tonë ndërkombëtar por e rrëzon secili argument për vendet që nuk e njohin Kosovën dhe e thyen fushatën e egër të Serbisë për ç’njohje të Kosovës. Ne duhet të jemi bashkë dhe një zëri që të lartësojmë Kosovën dhe ta bëjmë pjesë të pashmangshme të Bashkimit Evropian. Mirënjohje të thellë popullit dhe shtetit Amerikan, dhe njohje për sakrificën e bërë edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që sot e kemi privilegjin për të nënshkruar këtë marrëveshje”, tha Haradinaj-Stublla.

“Sot kemi shtetin e 117 që e njeh shtetin e Kosovës”, ka thënë tutje ajo.

Marrëveshja është nënshkruar më 1 shkurt në një ceremoni zyrtare nga  ministrja Meliza Haradinaj Stublla, si dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Kjo marrëveshje erdhi si rezultat i takimit më 4 shtator të vitit të kaluar, ku Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë në Washington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Ato u ndërmjetësuan nga i dërguari i atëhershëm i Trumpit për dialogun, Richard Grenell.

Me marrëveshjen e nënshkruar në Washington, Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Të ngjashme