Haradinaj: Ta mbrojmë interesin nacional, asnjë marrëveshje nuk inicohet pa kuvendin

Prishtinë | 31 Tet 2018 | 16:31 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Ramush Haradinaj ftoi deputetët të bashkohen dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Ai ka thënë se para së gjithash duhet ta kenë parasysh Pakon e Ahtisarit dhe rolin e secilit për ta shtyrë procesin e dialogut përpara, raporton Ekonomia Online.

“Për çështje të interesit të shtetit dimë dhe mujmë me gjetë gjuhë të përbashkët. S’kemi me pasë qare në çdo etapë pa gjetë ndonjë formulë me mbrojtë interesin nacional. S’kanë me pasë qare pa e gjetë një zgjidhje për interesin e vendit tonë. Një prej tyre është çështja e dialogut me Serbinë. Po ashtu nuk ka dilemë se kuvendi është autoriteti suprem që pa të asnjë marrëveshje nuk mundet me u inicu”.

“Mendoj që është legjitime që secili të paraqet një rezolutë, por iu siguroj që pa marrë parasysh si quhet dokumenti dhe çka përmban, nganjëherë simbolikat flasin vetë. I lus deputetët këtu që ta gjejnë atë formulë nëse ekziston”.

Haradinaj theksoi se duhet të bëhet kujdes në tema nacionale, raporton EO.

“Dialogu po na trumpetohet si kompromis, por mos të harrojmë se te kompromisi e kemi kushtetutën tonë, Pakon e Ahtisarit dhe kompromiset e atëhershme pritet të zbatohen nga ne. Zbatimi jonë në obligimet e Ahtisarit është obligim i yni. Nuk duhet me harru paktin që përmes ekzistencës tonë i obligohemi kompromisit. Ai kompromis na ka bërë këta që jemi. Ne si qeveri dhe si kryetar në tema nacionale do të bëjmë kujdes, megjithëse vendimet janë të juajat”.

Të ngjashme