Haradinaj takohet me ambasadoren e re të Francës Marie Christine Butel

Prishtinë | 11 Sht 2019 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim njohës ambasadoren e re të Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj, e ka njoftuar për progresin e Kosovës dhe për orientimin properëndimor të shtetit të Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve në zbatimin e rendit dhe ligjit, zhvillimin ekonomik dhe proceset tjera me rëndësi për vendin. 

Duke falënderuar shtetin francez për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se thellimi i bashkëpunimit në aspektin politik dhe ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, është i një rëndësie të veçantë.

“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Francës është dhe do të jetë afatgjatë. U jemi mirënjohës për gjithë mbështetjen që i keni dhënë Kosovës në të gjitha aspektet. Është e rëndësishme që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në këtë fazë të rëndësishme nëpër të cilën po kalon Kosova”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës kanë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe lëvizja e lirë për qytetarët tanë është e një rëndësie të veçantë, duke kërkuar ndihmën e Francës në këtë proces.

Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se Kosova mirëpret angazhimin dhe rolin e Francës, Presidentit Macron dhe iniciativës së tij për ta përkrahur Kancelaren Merkel në procesin e dialogut me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.

Ambasadorja Marie-Christine Butel, falënderoi Kryeministrin në detyrë për pritjen, duke thënë se Franca do të jetë mbështetëse e Kosovës në rrugën e saj të integrimit euroatlantik.  

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme