Haradinaj takon Metën: Shqipëria zë i fuqishëm për shtimin e njohjeve

Tiranë | 27 Sht 2017 | 20:09 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në vizitën e tij zyrtare në Republikën e Shqipërisë, është pritur në takim nga presidenti Ilir Meta.

Fillimisht, presidenti Meta e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për marrjen e përgjegjësive të reja, duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit shqiptar për Kosovën.

Presidenti Meta e siguroi kryeministrin Haradinaj se Republika e Shqipërisë do të jetë mbështetëse në proceset euroatlantike të Kosovës, duke vlerësuar rolin e tij në këto procese të rëndësishme për Republikën e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi lart rolin dhe kontributin e institucioneve të Shqipërisë, duke veçuar edhe rolin e presidentit Meta në ngritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Po ashtu, kryeministri kosovar tha se bashkëpunimi rajonal do të jetë në agjendë të Qeverisë së Kosovës gjatë këtij mandati, me theks me Republikën e Shqipërisë.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj kërkoi që institucionet e Shqipërisë të jenë zë i fuqishëm në shtimin e njohjeve për Kosovën, dhe mbështetëse në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme