Haradinaj takon Mitchellin, dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke

Prishtinë | 12 Mar 2018 | 14:43 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim ndihmës-sekretarin e Shtetit të ShBA-së për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë.

Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje dhe nuk ka pasur prononcime pas takimit.

Por, sipas një komunikate nga Qeveria, temë e bisedës ishte dhe krijimi e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe dialogu me Serbinë, për të cilin kryeministri tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke

“Në fokus të bisedës ishin zhvillimet politike në vend, mbështetja që SHBA-të po japin në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Kryeministri Haradinaj bëhet e ditur se e ka falënderuar ndihmës-sekretarin Mitchell për ndihmën e pakursyer të SHBA-ve, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën, e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të”, citohet të ketë thënë Haradinaj.

Më tej, kryeministri ka theksuar se Qeveria që ai drejton është e fokusuar në zbatim dhe prioritet e ka zhvillimin ekonomik të vendit.

“Në këtë takim, po ashtu u bisedua për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke”.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në rritjen ekonomike.

Në takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

 

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme