Haradinaj takon Mogherinin, edhe kushti i demarkacionit ka nisur të adresohet

Bruksel | 17 Nën 2017 | 11:44 | Nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me të cilën bisedoi për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj theksoi se me dinamikën e përcaktuar me qeverisjen e re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Agjendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave me BE-në.

Ai tha se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces dhe tha se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka nis të adresohet me fillimin e punës së Komisionit të ri shtetëror.

Ai tha se gjetjet e komisionit në raportin përfundimtar do të analizohen dhe pas kësaj do të procedohet më tutje.

Kryeministri Haradinaj tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të bëhet pa pengesa.

Ai theksoi se Kosova është faktor stabiliteti dhe po dëshmon përkushtim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialog për normalizim marrëdhëniesh. Kryeministri Haradinaj theksoi se dialogu duhet të riformatohet të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme