Haradinaj: Të ndalet thellimi i deficitit të bilancit tregtar

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se thellimi i mëtutjeshëm i raportit të tregtisë së jashtme në disfavor të eksportit, është rrënim i atyre pak të arriturave të deritashme dhe kthim i ekonomisë së Kosovës në pikën zero.


Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se qeveria duhet të ndërmarr veprime konkrete për të ndalur thellimin e deficitit të bilancit tregtar.


“Ekonomia e vendit kërkon vëmendje të përhershme. Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë veprime konkrete për të ndalur thellimin e deficitit të bilancit tregtar, përmes përkrahjes direkte të prodhuesve vendor, veçanërisht të eksportuesve”, ka shkruar Haradinaj.


Ai ka thënë se deficiti në marsin e vitit të kaluar ka qenë 219.9 milionë euro, ndërsa marsin e këtij viti ka arritur 320.7 milionë euro.
“Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për Tregtinë e Jashtme të Mallrave në Kosovë, për muajin mars 2021, tregojnë për rritje të deficitit tregtar në shkallë 45.8% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Deficiti i cili në marsin e kaluar ka qenë 219.9 milionë euro, në marsin e këtij viti ka arritur në 320.7 milionë”, është shprehur ai.
Haradinaj ka kërkuar nga qeveri që urgjentisht të nis përkrahjen për prodhuesit vendorë dhe eksportuesit.


“Thellimi i mëtutjeshëm i raportit të tregtisë së jashtme në disfavor të eksportit, është rrënim i atyre pak të arriturave të deritashme dhe kthim i ekonomisë së Kosovës në pikën zero. Andaj, e ripërsëris që qeveria urgjentisht të nis përkrahjen për prodhuesit vendorë dhe eksportuesit”, ka përfunduar Haradinaj. 

Të ngjashme