Haradinaj thotë se do të adresohen të gjitha kërkesat që kanë zjarrfikësit

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj është takuar sot me përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës.

Haradinaj, në një postim në facebook, tha se si Qeveri kanë punuar shumë në rregullimin e statusit të zjarrfikësve siç është ndarja e 600 mijë eurove për pagesës shtesë dhe rregullimin e shumës së rrezikshmërisë.

Sipas tij zjarrfikësit meritojnë respekt për punën e tyre në fushën e sigurisë dhe kjo duhet të përmirësohet për t’i rikthyer në një forcë nacionale.

“Prita sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, të kryesuar nga Kryetari z. Muharrem Beka, për të pranuar nga ta shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Si Qeveri kemi punuar shumë në rregullimin e statusit të zjarrfikësve, të lënë peng prej vitesh dhe kemi marrë vendime, në përmbushjen e kërkesave që kanë pasur, siç është ndarja e mjeteve prej 600 mijë eurosh për pagesën e orëve shtesë, puna në projekt-ligjin e ri të Financave të Pushtetit Lokal dhe rregullimi i shumës së rrezikshmërisë”, shkruan ai.

Haradinaj thotë se puna më e madhe për zjarrfikësit është bërë në Ligjin e ri për pagat, ku ata janë pozicionuar denjësisht me paga meritore, derisa tani do të punojmë për adresimin e të gjitha kërkesave të tjera.

“Zjarrfikësit meritojnë respekt për punën e tyre në fushën e sigurisë dhe këtë respekt duhet ta adresojmë edhe në përmirësimin e gjithë infrastrukturës ligjore, për ta rikthyer ashtu siç e meritojnë, në një forcë nacionale!”, përfundon Haradinaj.

Fotografia e Ramush Haradinaj
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme