Haradinaj thotë se Mogherini e shkatërroi dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë | 11 Dhj 2018 | 15:09 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka shkatërruar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke e kthyer në një dialog për shkëmbim territoresh.

“Zonja Mogherini e ka mbyt dialogun, e ka çrregullua, nga një dialog për stabilizim e ka kthyer në dialog për ndryshim territoresh. Është shumë për keqardhje që pas një investimi kaq të madh të BE-së me u shkatërruar. Mendimi i saj për mua nuk vlen. Unë se kam personale me askënd por kushdo qe ja lejon vetës me fol për territore, janë kundër paqes në Ballkan”, tha Haradinaj.

Kreu i ekzekutivit këto komente i bëri pas mbledhjes së kabinetit qeveritarë.

Të gabuara i ka quajtur Haradinaj deklarimet e opozitës, ku këta të fundit thanë se Qeveria po mundohet ta blejnë drejtësinë, në lidhje me rritjen e pagave të prokurorëve special.

“A t’ju ndalim rrogat krejtve. Nuk duhet me bë kështu. Është e pakuptim me shku në këtë drejtim. Nuk mundesh me motivu një prokuror special, ti po i jep një përkrahje po e motivon dhe është e kundërta që po e thonë partitë opozitare. Ky nuk është vendim i ri është vendim ekzistues”, tha Haradinaj, raporton EO.

Ndërkaq në raport me masën 100 përqind për mallrat serbe, Haradinaj tha se do të vazhdojnë me këto masa nëse Serbia vazhdon me veprimet e saj.

“Ne kemi të identifikuara të gjitha vendimet qe duhet me u marr i kemi të gatshme. Me taksen 100% është një efekt i respektueshëm, ne do të shkojmë në këto masa nëse Serbia vazhdon me veprimet e saj. Është e papranueshme me e ndal deputetin në kufij”, u shpreh Haradinaj.

Lidhur me dorëheqjet e kryetarëve të komunave në veri të vendit, Haradinaj ka thënë se është vendim pezull.

“Kjo është një situatë pa vendim. Jemi duke i shqyrtuar, nëse ja merr njërit kryetar vetëm një sekuencë kur e ka thënë në publik jap dorëheqje, mirëpo kur i merr shkresat është problem me i shqyrtu. Ata janë kryetar të komunave të Kosovës. Për momentin është vendim pezull”, tha Haradinaj.

Të ngjashme