Haradinaj thotë se zgjedhjet janë të shëndetshme, kur pyetet për prishjen e koalicionit

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 23:14 | Nga Ekonomia Online

Reagimi i Ambsadës Amerikane në Prishtinë, kushtet e Haradinajt ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe kërkesa për pezullim të taksës nga Kadri Veseli, kanë nxitur reagime sa i përket dallimeve në qëndrime te partitë në pushtet.

Duke folur për temën e taksës dhe reagimet e Amerikës së fundi, kryeministri Haradinaj ka thënë se ky vendim ka qenë sovran i Kosovës.

Sipas tij, është vendim i bazuar në Kushtetutë dhe Ligjet e Kosovës.

“Nuk i themi jo Amerikës, por vendimi për taksën është sovran, nga qeveria sovrane. Kemi marrë vendim në bazë të Kushtetutës, dhe Ligjit dhe duhet të sillemi me respekt ndaj vendimeve të Kosovës”, ka thënë Haradinaj për Syri.net

Ai u pyet për mundësinë që gjatë javës të prishet koalicioni, si pasojë e dallimeve me liderin e PDK-së për pezullimin e taksës.

“Është e drejtë legjitime e aleatëve të mi me vendos ashtu. Shiqo, zgjedhjet janë të shëndetshme, nuk ka gjë të keqe janë pjesë e demokracisë”, deklaroi Ramush Haradinaj.

I pyetur për raportet e tij me Amerikën, Haradinaj e pranoi se sa i përket temës së taksës, kanë dallime dhe mospajtime.

“Kemi dallim dhe mospajtim me Amerikën në situatën e krijuar pas vendimit për taksën. Na është kërkuar suspendimi i taksës, por ne nuk e pezullojmë pa garanci për taksën”, përfundoi Ramush Haradinaj.

Të ngjashme