Haradinaj: T’i kujtojmë të gjithë martirët, vendosën themelet e Kosovës së lirë

Prishtinë | 26 Mar 2018 | 11:24 | Nga

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka kujtuar sot masakrat që kanë ndodhur në Kosovë, ku fëmijë, pleq, gra e burra, të pambrojtur, u bënë cak i terrorit të regjimit serb.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se ndër breza do të kujtohen të gjithë martirët, nga gjaku i të cilëve u vendosen themelet e Kosovës së lirë.

Lexoni të plotë postimin e Haradinajt në Facebook:

“Në përvjetorin e masakrave të Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, Kotlinës, Suharekës, Lybeniqit, Izbicës, Mejës, Pastaselit, Leshanit, flijimit të familjes Berisha në Suharekë, familjes Bogujevci në Podujevë dhe të gjitha krimet tjera, pamjet e luftës së fundit në Kosovë na rikthehen sërish.

Sot kujtojmë aktin çnjerëzor mbi një popullatë të tërë të pafajshme. Fëmijë, pleq, gra e burra, të pambrojtur, u bënë cak i terrorit të regjimit serb. Ndër breza do të kujtohen të gjithë martirët, nga gjaku i të cilëve u vendosen themelet e Kosovës së lirë.

Kujtojmë sot betejën e Landovicës dhe tetë dëshmorët e rënë!

Në ditën e sotme, më 2001 ra dëshmor Njazi Azemi, luftëtar i orëve të para të UÇK-së dhe UÇPMB-së dhe më këtë rast, e nderojmë Komandant Mjekrrën, qoftë i ndritur emri dhe vepra e tij.

Lavdi e nder i përjetshëm të gjithë martirëve dhe dëshmorëve!”.

Të ngjashme