Haradinaj tregon se çfarë kishte biseduar me komedianët rusë

Prishtinë | 11 Kor 2019 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka treguar se çfarë kishte biseduar në telefon me komedianët rusë, pre e tyre që së fundi ra edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Por ai tha se nuk pati ndonjë element për të cilin do të mund të publikoheshin përgjimet e tilla.

”Me presidentin e Ukrainës, Poroshenkon kam folur, por edhe me komikët”.

”Me presidentin e vërtetë fola prej një linje të sigurt. Por ka ndodhur edhe një bisedë tjetër nga një lidhje e hakuar. Siç dihet teknologjia e ka mundësuar komunikimin e tillë përmes telefonit të dikujt tjetër”.

”Kanë qenë ato përgjime publike para pak kohe por nuk ka pasur materie për t’u publikuar nga të tjerët sepse kam kërkuar vetëm njohjen. Sikur të kish qenë me ndonjë element, mezi s’kishin pritë sepse kam shumë miq”.

Haradinaj ka treguar se kur ka qenë komunikimi i fundit me Zaev.

”Me kryeministrin Zaev në dhjetë ditët e fundit nuk jemi dëgjuar por as s’kemi shkru mes vete”.

Ndryshe për dallim nga Qeveria, Presidenca e Kosovës e kishte parandaluar një komunikim të tillë me satirikët rusë.

Këtë e bëri të ditur sot vet Presidenti Hashim Thaçi i cili pranoi se para disa muajsh ka pasur tendenca nga persona të caktuar rusë për të pasur bisedë telefonike me të, porse një gjë të tillë e kishte parandaluar kabineti i tij.

Thaçi madje sot përgëzoi stafin e tij për punën profesionale të treguar duke mos rënë pre e mashtrueseve rusë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme