Haradinaj: Ukshin Hoti, ideologu që formësoi mendimin politik shqiptar dhe frymëzoi kryengritjen për liri

Prishtinë | 16 Maj 2020 | 11:55 | Nga Ekonomia Online

Sot janë bërë 21 vite nga zhdukja e veprimtarit dhe intelektualit të njohur shqiptar, Ukshin Hoti. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar lartë rolin e tij në historinë e Kosovës, duke thënë se Hoti ishte ideologu që formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundit të shekullit XX.

“Ukshin Hoti, ideologu që formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet dhe diplomati vizionar që foli e frymëzoi për liri e kryengritje, ka zënë vend përgjithmonë në historinë e kombit tonë. Etika politike që promovoi ai, duhet të jetë shembull për elitat udhëheqëse të shqiptarëve gjithandej”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se Kosova ende nuk ka përgjigje për fatin e veprimtarit Ukshin Hoti, duke shtuar se idetë e tij ngadhënjyen përkundër burgosjes e në fund zhdukjes së tij.

“Njëzetenjë vjet më parë, ky njeri i madh, u shndërrua përpos në legjendë edhe në enigmë. Ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij. Ata që privuan nga liria një popull të tërë me dekada, nuk kanë mundur të burgosin idetë e tij. Ato mbeten të gjalla përjetë”, ka shkruar Haradinaj.  

Të ngjashme