Haradinaj: Vendet e Ballkanit po e mashtrojnë veten me “Mini-Shengen”

Prishtinë | 23 Dhj 2019 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “mashtrim të vetvetes” idenë tashmë të konkretizuar nga disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, sikur thuhet për liri të lëvizjes, të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve.

Haradinaj tha se zëvendësimi i procesit integrues në Bashkimin Evropian e në NATO, dhe largimi nga Procesi i Berlinit, nuk janë gjë tjetër veçse mashtrim i vetvetes nga këto shtete.

Kreu i Qeverisë i bëri komentet gjatë një pritjeje të organizuar me rastin e përmbylljes së vitit 2019, ku mori pjesë dhe presidenti Hashim Thaçi, përfaqësues të institucioneve të tjera të vendit, të korit diplomatik, përfaqësues të klerit dhe të organizatave të tjera, raporton Ekonomia Online.

“Tentimet për Minishengen dhe reciprocitet bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën. Orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal. Drejt NATO-s e jo Rusisë”, theksoi ai.

Në fund të javës që shkoi, në Tiranë qëndruan liderët e Ballkanit Perëndimor; Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, në Samitin e thirrur nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për konkretizim të iniciativës rajonale që po quhet “Mini-Shengen”.

Mospjesëmarrja e Kosovës bëri që kryeministri Rama të hedhë akuza drejt liderëve kosovarë duke shprehur bindjen se “vetizolimi” po e dëmton shtetin e Kosovës.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Haradinaj tha se Kosova po e përmbyll një vit me suksese, sfida por edhe me dhembje.

“Unë, po ashtu, isha i sfiduar me ftesën e papritur në moment kritik. Dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit”.

Si suksesin më të madh, ai përmendi miratimin e ligjeve për ushtrinë. “Ushtria e Kosovës po konsolidohet në ushtri inteligjente me standarde të NATO-s”.

Kryeministri në largim lavdëroi dhe veten. Ai tha se gjatë mandatit të tij është rritur transparenca. “Aq shumë është rritur transparenca institucionale sa që e kemi zbuluar dhe veten. Tash, mediet dhe qytetarët e dinë çdo shpenzim të Qeverisë”, tha Haradinaj, raporton EO.

E si sfida, Haradinaj veçoi vonesën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës; si dhe taksën ndaj produkteve nga Serbia. Duke e arsyetuar edhe një herë vendosjen e taksës, Haradinaj tha se kjo masë ishte marrë pas pengesave të vazhdueshme nga Serbia deri në mohim të Kosovës.

Në fund, Haradinaj ka uruar që “që asnjëherë mos të humbet besimi në sukseset e Kosovës”. 

Një fjalë të shkurtër përshëndetëse ka mbajtur dhe presidenti Hashim Thaçi. Ai ka uruar të pranishmit për festat e fundvitit si dhe një vit të mbarë në 2020-ën.

Të ngjashme