Haradinaj: Vetëvendosje ka ndryshuar qëndrimet, s’mund t’i përdorë premtimet e kaluara

Prishtinë | 14 Sht 2019 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Meliza Haradinaj pjesë e kabinetit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj e ka quajtur të vonshëm në politikë, shefin e Shtabit Zgjedhorë të Vetëvendosjes, Besnik Bislimi.

Ajo në një postim në Facebook ka thënë se AAK-ja gjithmonë ka dalë e para me program dhe prioritete të qeverisjes, duke shtuar se këtë Bislimi nuk e mban mend, pasi sipas saj ai është i vonshëm në skenën politike kosovare.

“E kuptoj frustrimin, sepse këto zgjedhje janë hera e parë që partive politike u duhet të shkruajnë program të ri, e jo t’a adaptojnë atë nga zgjedhjet e kaluara siç kanë bërë rëndom – sepse shumica e punëve të zvarritura me vite janë kryer tanimë nga Ramush Haradinaj për këtë gjysmë mandati”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, Vetëvendosje s’mund t’i përdorë premtimet e kaluara sepse tashmë ka ndryshuar qëndrimet.

Ajo tutje ka përmendur disa nga qëndrimet e Vetëvendosjes, që siç thotë ajo, nuk mund t’i përdorin në programin e tyre politik.

“Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë sepse është shtet i panatyrshëm dhe i imponuar (2006), pas zgjedhjeve 2010 synojmë Presidencën (2010), nuk e njohim flamurin dhe simbolet shtetërore, por e marrim rrogën nga Republika e Kosovës (2011), jemi kundër hajnisë dhe hajnave PDK/LDK, dialogu bosnjëzon Kosovën (2012), kontributi i Thaçit e Rugovës në periudhën e (para) luftës është i pamohueshëm (2012), ndërkombëtarët nuk na duhen, Kosova duhet të jetë sovrane’ (2013), Dorëzimi i mbi 70 kallëzimeve penale kundër grupit të Isa Mustafës në komunë; (2014), rritja e koalicionit me AAK-në në Prishtinë; (2014), formimi i VLAN, përkrahja e Ramush Haradinajt për kryeministër (2014), shqiptarët nuk e duan Amerikën, por tuten mos Amerika po i braktisë ata (2016), Isë Isë – argat i Serbisë (2017)”, ka shkruar ajo.

Haradinaj tutje thotë se shpreson që këtë herë Vetëvendosje do t’i qëndrojë besnik qëndrimeve politike, e të mos ketë nevojë të shkruajnë program të ri në sezonin e ardhshëm elektoral.

“I uroj shumë fat profës Besnik Bislimi në shkuarjen e programit të ri, shpresoj t’i qëndroni besnik qëndrimeve politike këtë herë e mos të keni nevojë të shkruani program të ri në sezonin e ardhshme elektorale. E di se e keni të vështirë këtë akrobacion fantastiko-shkencor të lëvizjes suaj, por megjithatë, ia vlen të provoni”, ka shtuar tutje Haradinaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme