Haradinaj viziton Panairin e Librit, premton përkrahje për botuesit

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 11:31 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka vizituar Panairin e Librit në kryeqytet.

Haradinaj gjatë vizitës që i ka bërë panairit të librit është takuar edhe me botues ku ka thënë se ajo çka i ka bërë përshtypje është mënyra e saktë e identifikimit të problemeve të botuesve, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa shtoi se gjatë mandatit të tij si kryeministër do të jetë pranë botuesve dhe dashamirëve të librit.

“Do të ishte nder për çdo shkollë në Kosovë që biblioteka me qenë më e pasur do të ishte diçka më e mirë, më afër fëmijëve po ashtu edhe afër prindërve bibliotekat e qyteteve por jo vetëm të qyteteve por edhe të vendbanimeve tjera do të ishte nder me qenë institucione që janë kult ku fëmijët tonë, lexuesit mund të ndalen ose një stacion ku ndalen ku shkojnë do të ishte një kontribut për atë që ankohemi ne në vazhdimësi, barra fiskale është e pakuptimtë besoni. Tani unë mendoj se ne fshehim në vete pasuri të jashtëzakonshme në kulturë, në trashëgimi e traditën tonë po e fshehim sepse nuk e kemi nxjerrë në dritë sa duhet është pasuri botërore jo veç e jona”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se do të bëhet pjesë e secilës përgjegjësi që ta nxjerr në dritë librin dhe krijuesin.

“Do të bëhem pjesë nga cila do përgjegjësi që e kam, do të bëhem pjesë e mundit të përbashkët që me nxjerr në dritë librin, krijuesin me qenë ai që është, ai që i takon me qenë në shoqëri”, ka thënë ai.

E botuesit nuk ishin të kënaqur më trajtimin që po u bëhet atyre. Ata kanë kërkuar që librit t’i largohet tërësisht TVSH-ja dhe pos kësaj kanë kërkuar liberalizim të tregut me Shqipërinë.

Jahir Ahmeti para kandidatit për kryeministër Ramush Haradinaj tregoi edhe tri problemet me të cilët ballafaqohen duke kërkuar nga ky i fundit që këto probleme të merren parasysh.

“Tri janë problemet kryesore te ne me të cilat përballet aktualisht libri. E para barra fiskale me të cilën është ngarkuar dhe për të cilën është debatuar shumë herë gjatë gjithë këtyre viteve por asnjëherë nuk morëm zgjidhjen e merituar, e dyta procedurat banale dhe krejtësisht të pakuptimta sa i përket qarkullimit të librave në gjithë hapësirën shqip folëse dhe e treta lënia pas dore, pothuajse në harresë e bibliotekave si publike por edhe të atyre shkollore”, ka pohuar Ahmeti.

Kurse kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku ka thënë se gjendja në arsim dhe në kulturë në Kosovë që prej se ekziston kjo e fundit nuk ka qenë asnjëherë më keq se sa tani.

“Kur e përmenda arsimin dhe kulturën që nuk u takojnë partive politike e as ministrive por janë të popullit këtu duhet të analizoj një fakt që prej se ekziston kjo Kosovë nuk ka qenë gjendja më keq në arsimin dhe kulturën tonë por kemi analfabet funksional prej universitetit në universitet dhe po prodhojmë diploma e diploma si shtypshkronja”, ka thënë ai.

E njëri nga autorët krejt në fund ia dhuroi një libër Haradinajt i titulluar “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët”, botimi i gjashtë , i cili kërkoi nga Ramush Haradinaj që këtë libër t’ia dhuroj publikisht Ivica Daqiqit. E përgjigja e Haradinajt ishte që nuk do t’ia jepte askujt por do ta mbante për vete.

 

Të ngjashme