Hasani flet për anulimin e takimit Kurti – Veliaj, çfarë ndodhi sipas tij

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, në një përgjigje për Gazetën Express e ka treguar versionin e tij se pse është anuluar takimi i paraparë që të ndodhte sot në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Hasani, i cili ka qenë pjesë e takimeve që sot ka mbajtur Kurti në Tiranë në saje të vizitës së parë zyrtare që nga marrja e detyrës së kryeministrit, ka deklaruar se arsyeja se pse takimi i paraparë Kurti – Veliaj është anuluar është sepse kryeministri i Kosovës kishte pasur një agjendë në Prishtinë.

“Kryeministri nuk e ka anuluar vizitën te kryetari i Bashkësisë së Tiranës z.Erion Veliaj. Po për shkak të agjendës në Prishtinë, takimin me ministrin e jashtëm të Italisë dhe për shkak të kohës për të mbërri atje, e ka shtyrë vizitën për një ditë tjetër”, ka deklaruar ambasadori Nait Hasani.

Sipas agjendës zyrtare që e ka dërguar Qeveria e Kosovës, Kurti ishte paraparë që të shihej me Erion Veliajn në orën 11 e 55 minuta.

Pas anulimit të takimit, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se Kurti e ka devijuar agjendën dhe nuk e di arsyen e anulimit.

Të ngjashme