Hasani: Presidenti Thaçi po tenton ta “uzurpojë” Kushtetutën, çdo ndryshim do të jetë i pafalshëm

Prishtinë | 15 Qer 2019 | 15:39 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në shënimin e 11-vjetorit të themelimit të Kushtetutës së Kosovës, njohës të çështjeve kushtetuese thonë se Kushtetuta duhet të pësojë ndryshime, pasi që ka mangësi, kufizime dhe se në këto vite prej se ka hyrë në fuqi, është shkelur shpesh herë nga institucione dhe individë, raporton Ekonomia Online.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, profesor Enver Hasani, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se për kaq vjet sa është në fuqi Kushtetuta, po përballemi me dy llojeve të shkeljeve.

Ai ka përmendur edhe rastet kur u shkel Kushtetuta nga vet shteti.

“Ka dy lloje të shkeljeve, shkeljet që ndodhin përditë dhe që janë të papërfillshme dhe që nuk kanë pasoja kushtetuese dhe shkeljet që janë të përfillshme dhe të cilat cenojnë rendin kushtetues ose kompetencat e organeve kushtetuese. Të këtij lloji të dytë ka pasur në dy raste, po i marr në nivel të shefit të shtetit, presidentit, dy herë është gjet që ka shkelje kushtetuese. Sa i përket Kuvendit, në disa raste Gjykata Kushtetuese ka anuluar produktet e Kuvendit, ligjet, që kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Pastaj në nivel të organeve të Qeverisë, po ashtu rasti i pasaportave, kur kanë cenuar lirinë e lëvizjes së njerëzve, et”, ka thënë ai.

Hasani ka përmendur edhe mangësitë dhe ndryshimet që duhet bërë në Kushtetutë. Ndër to, thotë se Kushtetuta duhet të ketë një tekst më dinamik dhe të përmirësohen gabimet në aspektin gjuhësor.

“Mangësia themelore e Kushtetutës është që ajo duhet të ketë tekst më dinamik. Në pjesën më të madhe është pak statik dhe prej dispozitës në dispozitë nuk ka kalim të natyrshëm dhe në disa vende mungojnë definimet e domosdoshme kushtetuese, p.sh çështja e burimeve të së drejtës ose çështja e definimit të mekanizmave të balancimit të pushteteve, pastaj çështjet e formimit të organeve pas zgjedhjeve etj. Kjo është sepse teksti fillestar ka qenë në gjuhën angleze dhe i ka humbë dinamika dhe shpirti dhe e dyta, Kushtetuta ka edhe në aspektin gjuhësor gabime të cilat duhet të përmirësohen. Këto janë gjëra që duhet të rregullohen në një të ardhme të afërt”, tha Hasani për EO.

Por, duke folur për ndryshimet e mundshme e të paralajmëruara në Kushtetutë, Hasani thotë se çdo ndryshim që synon me i prishë parimet themelore të organizimit të shtetit të Kosovës të formuara më 17 shkurt, do të ishte një gabim i pafalshëm.

“Çdo ndryshim që synon me i prishë parimet themelore të organizimit të shtetit të Kosovës të formuara më 17 shkurt, do të ishte një gabim i pafalshëm dhe që nuk duhet të lejohet. Me amandamentim nuk mund të krijohen norma tjera që e prishin natyrën e shtetit të Kosovës, parimet si shtet i pavarur. Politika duhet ta njehë normën kushtetuese jo me u ndërru Kushtetuta dhe me e ndjek politikën, siç kanë synu edhe në VLAN edhe në rrëzimin e Atifetes kur ishte presidente e Kosovës”, tha ai.

Ai ka thënë se ka tendencë nga vetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për uzurpim të kompetencave kushtetuese, e që sipas tij është shkelje e Kushtetutës.

“Ka tendenca për uzurpim nga ana e shefit të shtetit në procesin e dialogimit me Serbinë. Ka tendencë në mënyrë arbitrare për uzurpim të kompetencave kushtetuese, dmth me i marrë kompetencat ekzekutive të cilat shefi i shtetit nuk i ka, të cilat në asnjë vend rreth Kosovës nuk i kanë. Çdo tendencë për uzurpim është shkelje dhe synim për shkelje të Kushtetutës”, tha ai për Ekonomia Online.

E, qytetarët thonë se Kushtetuta për këtë periudhë prej 11 vjetësh, është shkelur, teksa bëjnë thirrje që ta respektojnë.

Fetah Dragusha tha se Kushtetuta e Kosovës nuk ka mangësi të mëdha, për çka sipas tij duhet të respektohet.

“Shpesh herë shkelet Kushtetuta, më shumë me dashje se pa dashje. Kjo është mosrespektimi i vendit të punës të politikanëve tanë. Mendoj që Kushtetuta e Kosovës i ka edhe mangësitë e veta por si shtet i ri që jemi duhet respektuar sepse nuk ka defekte të mëdha”, tha ai për Ekonomia Online.

Ndërsa, Sabri Kadriu, tha se shkelësit e Kushtetuesit do të paguajnë për këto gabime.

“Unë mendoj po. Unë vetëm them se mjerë ata që e shkelin Kushtetutën, shumë keq do ta paguajnë”.

Dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kuvendi ratifikoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Të ngjashme