Haxhiu: Dëshmori, invalidi e veterani i UÇK-së është vlerë, dhe kështu duhet trajtuar me ligj

Prishtinë | 11 Gus 2020 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka mbrojtur idenë e ligjit për UÇK-në, duke thënë se dëshmori, invalidi dhe veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është vlerë dhe si i tillë duhet të mbrohet edhe me ligj.

Ai foli edhe në lidhje me reagimin e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, i cili ka dalë kundër kësaj ideje, duke thënë se edhe në Amerikë, veterani është vlerë.

“ShBA-të janë promotorë të vlerave dhe ligji i cili promovon vlerat e UÇK-së nuk ka pse të vlerësohet si ligj që e cenon të drejtën e dikujt, sepse bëhet për promovim të vlerave të UÇK-së”.

“Ende është një projektligj, si draft. Në leximin e parë e kemi kaluar dhe pas dy leximeve ka mundësi që aty ku ka ndonjë vërejtje prej miqve tanë ndërkombëtarë, të tregojnë dhe ne t’i marrim parasysh, por Kosova ka nevojë që vlerat e UÇK-së të mbrohen me ligj”.

“Dëshmori, invalidi e veterani i UÇK-së është vlerë, dhe kështu duhet të trajtohet me ligj. Duhet të potencohet se çka është vlerë në këtë shoqëri”.

“Edhe këta që kanë mbetur gjallë nga lufta, nuk kanë pasur ndonjë përfitim përveç lirisë, madje mund të them që deri më tani ka pasur edhe një përndjekje ndaj veteranëve e pjesëtarëve të UÇK-së”.

“Kur i jam bashkuar UÇK-së, kam qenë student i vitit të katërt. Mercedes kam vozitur në vitin 1996 e Mercedes voziti edhe sot”.

“Veterani, invalidi e dëshmori janë vlerë dhe çdo njeri sot përgjigjet për të bëmat ose të pa-bëmat e tij. Besoj që edhe në Amerikë veteranët e luftës janë vlerë”.

“Ka pasur deputetë që kanë financuar raportet anti amerikane, ku është bërë përpjekja që të ndryshohet historia jone dhe idealet e luftës. Për këto arsye këto ideale duhet të mbrohen me ligj. Ligji ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e vlerave të UÇK-së”.

“Ka pasur shpifje e bashkëpunim edhe me armiqtë e Kosovës, që këta njerëz te largohen nga skena politike. Është bërë përpjekje për ndryshim të historisë. Sot s’ka gjykatë që do të gjykojë për gratë e dhunuara, ku ka histori për krimet dhe masakrat e serbëve në gjithë territorin e Kosovës. Këto do të duhej të ishin shqetësim edhe për ambasadorët”.

“Pati përpjekje që ligji të minohet në parlament, sepse ata që ishin kundër pavarësisë, tash janë edhe kundër ligjit”, deklaroi Haxhiu në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Të ngjashme