Haxhiu e Qalaj përplasen në Kuvend – Ia përmendin njëri-tjetrit të kaluarën

Prishtinë | 07 Kor 2022 | 14:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, kanë pasur një përplasje të ashpër të enjten në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Ministrja Haxhiu ka kritikuar ashpër mënyrën se si ish-drejtori i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, dhe ish-kryeprokurori Sylë Hoxha, u bënë pjesë e partive politike me të përfunduar mandatin e tyre në këto pozita.

Një gjë të tillë Haxhiu para të pranishmëve në kuvend, u shpreh se do ta kishte ndaluar me ligj.

“Çështja është që s’ka rëndësi projektligji apo ligji që e adreson, çështja është që kur ke një person që nuk është profesionist, ka me e keqpërdor pozitën zyrtare. Ju shumë mirë e dini që Vetëvendosjen, kanë pasë me e shpallë organizatë të paligjshme. Kjo ka ndodhë, madje figurat kryesore që kanë pasë një tendencë të tillë, kanë qenë në krye të këtyre institucioneve: drejtori i Policisë, [Rashit Qalaj] dhe ish-kryeprokurori Sylë Hoxha”.

“Si ka mundësi që ata, prej prokurorisë shkojnë në LDK, e prej policisë shkon në PDK. Unë këtë e kisha ndalu me ligj. Pra, kjo nënkupton çka keni bërë ju me institucionin. Se kur i keni vendos njerëzit në këto institucione, pastaj nuk i keni lënë rahat. Për mua nuk është normale për një drejtor të policisë, që sapo përfundon mandatin, shkon në një parti politike. E kam për juve z.Qalaj, sepse lidhet drejtpërdrejt me shtetin, sepse nuk po i bën nder as vetes, as partisë tënde”., tha Haxhiu.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ia përmendi ministres Haxhiu kohën kur kjo e fundit hidhte gaz lotsjellës në Kuvend.

Qalaj i kërkoi Haxhiut të ketë kujdes me paraqitjet e saj dhe atë se si iu drejtohet kolegëve deputetë.

“Ministre [Albulena Haxhiu], me na shit moral, është bukur mirë por jo nga ju. Ju e dini ministër e nderuar sa keni bërë në këtë kuvend. Besoj që është turp, me fol për këtë send personalisht. Ne jemi deputet dhe kemi të drejtë ta kemi opinionin tonë. Ju jeni ministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, që jeni duke mbrojtur sot ligjin këtu, që është krejt normale. Mirëpo të jeni pak më e kujdesshme kur i drejtoheni deputetëve, se mundet me t’u kthy boomerang”, tha Qalaj.

Ndaj replikave të ish-drejtorit të policisë së Kosovës, Rashit Qalajt, tashmë deputet i PDK-së, të mënjëhershëm e pati reagimin ministrja Albulena Haxhiu, duke i thënë se nuk janë penduar as sot, për sjelljet e tyre me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

“Për veprimet tona ne jemi përgjigj përpara ligjit, pavarësisht se kanë qenë politike ne jemi dënu nga gjykatat për ato. Dhe asnjëherë pishman si bijmë për gazin lotsjellës, sepse kanë qenë veprime politike, sepse pikërisht falë asaj rezistence në kuvend dhe jashtë kuvendit, sot nuk e kemi Zajednicën”, tha ministrja Haxhiu.

Të ngjashme