Haxhiu: Fokusi i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është te zyrtarët e lartë dhe familjarët e tyre

Prishtinë | 27 Pri 2021 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se fokusi i konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të jetë te zyrtarët e lartë, familjarët e tyre, por edhe te palët e treta tek të cilat zyrtarët e lartë kanë bartur pasurinë e tyre.

Ajo ka thënë se janë bërë kritika ndaj koncept-dokumentit, dhe se opozita ka dashur që të frikësojë, duke thënë se gjithë qytetarët do të jenë në shënjestër pasi të hyjë në fuqi një ligj i tillë.

“Kritikat që janë bërë ndaj këtij koncept-dokumenti, mesa ne e kemi kuptuar, pasi kemi analizuar si kabinet dhe si ministri gjitha diskutimet që kanë bërë opozita që të frikësohen qytetarët karshi hyrjes në fuqi të një ligji të tillë. Duket se ata kanë tentuar të thonë para qytetarëve, se kur hun në fuqi ligji, do t’i kërkohet secilit qytetarë të jap llogari për pasurinë që e ka. Në fokus janë zyrtarët e lartë, familjarët e tyre dhe personat e tretë, tek të cilët konsiderohet se zyrtari i lartë ka bartur pasuri, pasi kemi edhe probleme të tilla. Nuk e kemi problem vetëm pasuritë të cilat i kanë deklaruar, e që janë në shpërputhje me të ardhurat që i kanë, por edhe me shumë pasuri që i kanë personat e tretë. Fokusi do të jetë te personat zyrtarë”, ka thënë Haxhiu në Deskun e KOHËS.

Ajo ka shtuar se konsideron e rëndësishme që të jetë një agjenci e pavarur që mund t’i raportojë Kuvendit, e jo Qeverisë. Do të jetë një agjenci e pavarur me ekspertë të fushës që do të merren me këtë.

“Unë mund ta them qëndrimin tim si ministre, do të flasin grupet brenda Ministrisë së Drejtësisë, unë e konsideroj të jetë e rëndësishme të jetë agjenci e pavarur, që mund t’i raportojë Kuvendit e jo Qeverisë. Pasi kanë thënë se do të bëhet një agjenci qeveritare, kjo nuk ka as logjikë e as kuptim, por ka dashakëqij që tentojnë të njollosin secilin propozim. Do të jetë një agjenci e pavarur e përbërë nga ekspertë të fushës, varësisht prej deklarimeve që i marrin nga Agjencia Kundër Korrupsionit, ata do të marrin masa. Lista e atyre që do të duhet të deklarojnë pasurinë do të rritet me ligjin për deklarimin e pasurisë. Kemi shikuar sisteme të vendeve të ndryshme, ku vet sistemi e deklaron problemin me të kuqe, kur ka diskrepancë mes të hyrave dhe pasurisë së deklaruar. Nuk do të jetë kompetencë e ministrit apo kryeministrit që të alarmojnë agjencinë në fjalë, por do të jetë një databazë që e ka në dispozicion agjencia përkatëse”, ka deklaruar Haxhiu.

Të ngjashme