Haxhiu i reagon Kurtit: Pse jeni nervoz kryeministër, për mashtrim dhe diletantizëm je kampion

Prishtinë | 01 Qer 2022 | 14:55 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për kërkesën e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Kryeministri e quajti diletantizëm kërkesën e Haxhiut.

“Nuk është e rastësishme që ka ardhur nga një deputet i opozitës, i cili në një prononcim medial duke komentuar deklaratën brengosëse të përfaqësuesve të FMN-së ka thënë se po të donte FMN-ja do të nja jepte mjete ti shpërndanim për qytetarët e nuk do ti preknim mjetet e fondit, ka mjete të mjaftueshme FMN-ja. Ja kush po merret me financa e makroekonomi te ne, është diletantizëm i jashtëzakonshëm, por pasojat e të cilit nuk kemi pse i bartim ne të tjerët përveçse vetë ai person”, ka thënë Kurti.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar vetë deputeti Bekim Haxhiu. Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se deklarata e kryeministrit është përpjekje djallëzore e tij për ta acaruar debatin për Trustin.

“Kryeministër, unë deputet i Kuvendit të Kosovës në 5 mandate, nuk fyhem nga fjalët tua, unë dhe qytetarët janë të fyer nga paaftësia e juaj, nga nepotizmi dhe korrupsioni në qeverisjen tuaj. Pse jeni nervoz kryeministër? Unë sipas Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit kam dorëzuar projektligjin për Trustin, i cili e ka mbështetjen te krejt opozitës dhe deputetëve tjerë nga mazhoranca, gjë që do të duhej të ju gëzonte e jo të ju nervozonte. Nuk është e nevojshme ta ashpërsoni gjuhën për t’u ndezur debati për të kundërshtuar kërkesën e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, tutje i përmend kryeministrit Kurti edhe çështjen e veteranëve të UÇK-së, duke i thënë se “ju jeni “veteran” pa ja ba bam askund. Kush është diletant, ti apo unë?! Albin për mashtrim dhe diletantizëm je kampion”.

Postimi i plotë i Haxhiut:

E paska humbur kontrollin kryeministri Kurti

Përpjekje djallëzore e Kurtit për ta acaruar debatin për Trustin, ne vend se të angazhohet për të punuar për qytetarët. Kryeministër, unë deputet i Kuvendit të Kosovës në 5 mandate, nuk fyhem nga fjalët tua, unë dhe qytetarët janë të fyer nga paaftësia e juaj, nga nepotizmi dhe korrupsioni në qeverisjen tuaj.

“Ekspertizën” tuaj po e shohim në rastin Martin Berishës dhe ZRrE-së me shtrenjtim të energjisë elektrike dhe shtrenjtim të çmimeve.
Pse jeni nervoz kryeministër? Unë sipas Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit kam dorëzuar projektligjin për Trustin, i cili e ka mbështetjen te krejt opozitës dhe deputetëve tjerë nga mazhoranca, gjë që do të duhej të ju gëzonte e jo të ju nervozonte.

Nuk është e nevojshme ta ashpërsoni gjuhën për t’u ndezur debati për të kundërshtuar kërkesën e qytetarëve!

Zhgënjimi i qytetarëve në ju është problem qe duhet ta kapërdini pa shpërthyer kundër deputeteve që marrin nisma ligjore në dobi të qytetarëve.

Dihet se Qeveria e Kurti një muaj e ka mbajtur Projektligjin për Trustin, për të thënë një Jo qytetarëve në kërkesën për tërheqjen e një pjese të Trustit. Albin Kurti që në opozitë rrokulliste vetura e ndërkombëtarëve te UNMIKU e EULEX-it e shtynte ambasadoren amerikane e kundërshtonte politikat e tyre, sot qenka bërë i ndegjueshmi i tyre, për të kundërshtuar kërkesën e qytetarëve.

Kjo jo vetëm që është papërgjegjësi ndaj votueseve, por njëkohësisht është edhe hipokrizi.

E kuptoj kryeministrin që sot ne mbledhje të Qeverisë është marr me mua dhe iniciativën për Trustin, kërkesa e madhe e qytetarëve e ka detyruar që ta rikthej në diskutim në Qeveri kërkesën për Trustin.

Kurtin e këshilloj të angazhojë ekspertët me të mirë që ka për të bërë reformën pensionale pas miratimit të projektligjit për Trustin, në cilësinë e deputetit me përvojë të gjatë do ta ndihmoja në procesin e reformës pensionale dhe sociale.

P.S.: Kryeministër për patriotizëm njihemi mirë unë dhe ti, kemi qenë bashkë në Unionin e Studentëve dhe në protestat e viti 1997, unë i jam bashkuar UÇK-së dhe jam plagosur në luftë, gëzoj statusin e ushtarit luftëtar invalid i luftës së UÇK-së e ju jeni “veteran” pa ja ba bam askund.

Kush është dilitant, ti apo unë?!

Albin për mashtrim dhe dilitantizëm je kampion!

Të ngjashme