Haxhiu i reagon Tahirit: Është për keqardhje të jesh ish-ministër i Drejtësisë e të mos mbahesh mend për asnjë punë të mirë

Prishtinë | 21 Tet 2021 | 13:06 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka reaguar pas deklaratës së deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili komentoi konferencën e djeshme të presidentes Vjosa Osmani në lidhje me Vettingun.

Haxhiu ka thënë se “është për keqardhje” ajo çfarë ka shkruar Tahiri, duke e ditur se i njëjti ka qenë Ministër i Drejtësisë.

Ajo madje e ka vënë në dyshim se Tahiri e ka lexuar Koncept-dokumentin për Verttingun, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ish Ministri i Drejtësisë Tahiri, paska gjetë kohë me i thënë disa fjalë për Vetingun dhe Presidenten. Realisht kur lexon atë që ka shkruar, është për keqardhje që i njëjti, ka qenë Ministër i Drejtësisë. Nëse lexohet Koncept-dokumenti për Vetingun (që dyshoj të jetë lexuar nga Tahiri), vërehet qartë rruga që do të ndiqet për zhvillimin e procesit të Vetingut, duke mundësuar një verifikim të tërësishëm të subjekteve të vetingut dhe duke ndërtuar mekanizma të cilët bëjnë verifikimin/vlerësimin e vazhdueshëm të tyre. Dhe kjo ka ardhur, pasi mekanizmat ekzistues që përmend Tahiri, kanë dështuar dhe për këtë mbahet përgjegjës edhe Tahiri Nëse këta mekanizma llogaridhënës që përmend do të ishin efikas tash e shumë vjet, nuk do të kishim fare nevojë për Vetingut”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se “çdo ditë identifikojmë të metat e Tahirit, dhe është për keqardhje të jesh Ministër i Drejtësisë dhe të mos mbahesh në mend qoftë edhe për një punë të mire”.

Ndryshe, deputeti i PDK-së Abelard Tahiri ka thënë se janë dashur vetëm pak muaj për të parë dështimin e mazhorancës së Osmanit e Kurtit.

“Pak muaj u deshën për ta parë qartë dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë”, ka thënë Tahiri.

Të ngjashme